Vendosni fjalën kyçe....

Qëllohet për vdekje në zyrë ministri në Republikën Domenikane


Ministri dominikan i Mjedisit, Orlando Jorge Mera është vrarë në zyrën e tij nga Miguel Cruz, një mik i ngushtë që e kishte njohur që nga fëmijëria, njoftoi të hënën zyra e presidentit Luis Abinader.

Punonjësit në ministri u thanë gazetarëve se dëgjuan të paktën shtatë të shtëna nga zyra. Policia ka ndaluar hyrjen në godinën ku ndodhet edhe Ministria e Turizmit. Cruz thuhet se u arrestua në një kishë aty pranë. Nuk dihet ende motivi i vrasjes.

Abinader dërgoi ngushëllimet e tij për familjen e Jorge në Twitter, duke shkruar: “Më vjen shumë keq për vdekjen e mikut tim të mirë, ministrit tonë, Orlando Jorge Mera.”

Një deklaratë ka lëshuar edhe familja e viktimës.

“Familja jonë e fal personin që e bëri këtë”, shkruhej në të, duke shtuar se “Një nga trashëgimitë më të mëdha të Orlandos ishte të mos mbante mëri”.

Shumë zyrtarë të tjerë dominikanë postuan ngushëllimet e tyre në mediat sociale, përfshirë ish-presidentin Leonel Fernandez, i cili e quajti atë një ‘qenie të madhe njerëzore, njeri publik dhe një shërbëtor të përkushtuar’.

Zëvendëspresidentja Raquel Pena, motra e gruas së Jorge, e kujtoi atë si një ‘punëtor të palodhur dhe qenie njerëzore fisnike’.

Jorge ishte anëtar i një familjeje të fuqishme politike në ishull. Ai ishte një anëtar themelues i Partisë Revolucionare Moderne.

Një avokat, ai u emërua në rolin e tij ministror në gusht 2020. Babai i tij, Salvador Jorge Blanco, ishte një ish-president i Republikës Domenikane nga viti 1982 deri në 1986, ndërsa motra e tij, Dilia Leticia, është një zëvendësministre në administratën e Abinader.

Djali i Jorge është gjithashtu anëtar i Partisë Revolucionare Moderne. Gruaja e ministrit të vrarë, Patricia Selma Villegas Garcia, është ambasadorja e Republikës Domenikane në Brazil.