Vendosni fjalën kyçe....

Turqia do ndihmojë në zhbllokimin e grurit të Ukrainës


Gruri ukrainas së shpejti mund të drejtohet sërish në tregjet botërore, sipas një propozimi që do të përfshinte anijet turke që të çminojnë ujërat rreth Odessas dhe të ndajnë detyrat e shoqërimit me Marinën Ruse, raportuan disa media të hënën.

‘Korridori i grurit’ mund të ndihmojë në mungesën e ushqimit në një numër vendesh në Afrikë dhe Lindjen e Mesme, duke përfshirë edhe vetë Turqinë.

Sipas Bloomberg, duke cituar presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, Kievi po bisedone me OKB-në se si të eksportojë grurin dhe është skeptik për një marrëveshje midis Rusisë dhe Turqisë.

Nënsekretari i Përgjithshëm i OKB-së për Çështjet Humanitare, Martin Griffiths mbërriti në Moskë më 3 qershor, për bisedime rreth rivendosjes së dërgesave të grurit nga portet e Detit të Zi, sipas Reuters.

Megjithatë, gazeta ruse Izvestiya citoi një ‘burim të informuar të rangut të lartë’ për të ofruar disa hollësi të skemës së propozuar.

Ajo do përfshinte marinën turke të pastronte një korridor përmes minave detare të Ukrainës nga porti i Detit të Zi të Odessa dhe të shoqëronte anijet e mallrave në ujërat ndërkombëtare. Në këtë pikë, anijet e marinës ruse do merrnin përsipër dhe do të shoqëronin mallrat për në Bosfor.

Burimi i Izvestiya konfirmoi pjesëmarrjen e një zyrtari të lartë të OKB-së dhe shtoi se udhërrëfyesi i ‘korridorit të grurit’ duhet të zyrtarizohet më vonë këtë javë, kur ministrat e Jashtëm dhe të Mbrojtjes ruse të vizitojnë Turqinë.

Marrëveshja e propozuar vlen vetëm për Odessan në këtë pikë dhe rruga e saktë e anijeve të grurit gjithashtu mbetet për t’u përcaktuar, shtoi burimi.

Ukraina zakonisht përbën rreth 9% të eksporteve botërore të grurit. Rusia pretendon se ushtria e Kievit minoi afrimet në Odessa dhe portet e tjera të Detit të Zi në shkurt. Rreth 22.5 milionë tonë përfunduan të ngecur në anije mallrash që nuk mund të niseshin.