Një superjaht në pronësi ruse që dyshohet se lundroi në Fixhi për t’i shpëtuar konfiskimit është konfiskuar nga SHBA.
Policia amerikane kishte gjurmuar për muaj të tërë jahtin Amadea 106 metra, të lidhur me oligarkun e sanksionuar rus Suleiman Kerimov.
Agjentët kishin hipur në jaht me mbërritjen e saj në Fixhi në prill, por pronari i jahtit kishte nisur një betejë ligjore për të ndaluar konfiskimin e mjetit.
Siç shkruan BBC, pronarët e jahtit kishin argumentuar se urdhër-arresti binte ndesh me ligjin lokal të ishullit të Paqësorit.
Megjithatë të martën, Gjykata e Lartë e Fixhit e hodhi poshtë këtë argument dhe urdhëroi largimin e jahtit, duke vënë në dukje se ankorimi i jahtit gjigant në portin e Lautoka i kishte kushtuar qeverisë lokale “shtrenjtë“.
Autoritetet amerikane kishin argumentuar se jahtit prej 300 milionë dollarësh i duheshin rreth 25-30 milionë dollarë për të vazhduar të funksiononte në vit.
Për përfitimin publik, ishte më mirë që anija të hiqej, tha kryegjykatësi Kamal Kumar.
Gjykatësi zbuloi se anija kishte lundruar në ujërat e Fixhit “pa asnjë leje dhe me shumë mundësi për t’iu shmangur ndjekjes penale nga Shtetet e Bashkuara”.
Ekipi mbrojtës i pronarëve të regjistruar të jahtit, Millemarin Investments, kishte argumentuar se anija nuk ishte pronë e zotit Kerimov dhe përkundrazi i përkiste një biznesmeni tjetër rus, i cili nuk po përballet me sanksione. Por autoritetet amerikane pretendojnë se Kerimov ka ende një lidhje me mjetin ujor.
FBI pretendoi se jahti ishte përpjekur gjithashtu t’i shpëtonte zbulimit “pothuajse menjëherë” pasi filloi lufta duke fikur sistemin e saj të automatizuar të gjurmimit.
Autoritetet amerikane sanksionuan për herë të parë Kerimov në vitin 2018 pas një sërë akuzave për pastrim parash. Pas pushtimit të Ukrainës, Rusia është sanksionuar nga vende të tjera.