“Pallati i Bardhë” i VMRO-DPMNE-së do të konfiskohet. Ky është aktgjykimi i Gjykatës Penale të Shkupit për rastin “Talir 2”, ndërsa konfiskimi përfshin edhe rreth 30 seli të tjera partiake.
Ish-lideri i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski u dënua me gjashtë vjet burg për shpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa ish-sekretari i përgjithshëm i partisë Kiril Bozhinovski u dënua me dy vjet me kusht.
“Në një situatë kur vijon përgjegjësia penale për veprimet e ndërmarra kundërligjore, dhe përfitimi është që sendet e përfituara nga kryerja e veprës penale, të konfiskohen si nga autori ashtu edhe nga persona të tretë. Mesazhi është i qartë se në të ardhmen asnjë person përgjegjës në parti politike, apo struktura të tjera të shtetit, nuk duhet të guxojë të kryejë këtë apo një vepër tjetër të ngjashme penale…”, tha Daniela Aleksovska Stojanovska, gjykatëse, raporton Alsat.
Gjykata vendosi ta zhbllokojë tokën nën selinë partiake të VMRO-DPMNE-së. Sipas prokurorisë, kjo nuk do të ndikojë në konfiskimin e objektit.
“Kjo është e mundur, nuk është e pamundur. Nëse do të ishte e pamundur, gjykata nuk do të kishte vendosur ashtu siç vendosi. Ne e tërhoqëm propozimin për konfiskimin e tokës, sepse toka nuk është e përfshirë me veprën penale”, theksoi Ljubomir Lape, prokuror.
Përfaqësuesi ligjor i VMRO-DPMNE-së paralajmëroi ankesë në gjykatat më të larta. Ata thonë se synimi është që të merret e gjithë pasuria e partisë, jo vetëm selia në Shkup.
“Janë shkelur të drejtat e partisë politike VMRO – DPMNE. Përkatësisht, gjatë procedurës përfaqësuesi i partisë politike VMRO – DPMNE nuk është dëgjuar të komentojë për të gjitha këto rrethana. Do të theksoj vetëm një gjë – konfiskimi i gjithë pasurisë së një partie politike për shkak të disa veprimeve të disa të akuzuarve është jashtë çdo logjike të shëndoshë ligjore”, u shpreh Ruzhica Nikolovska, përfaqësuese ligjore e VMRO-DPMNE-së.
Sipas aktakuzës, Gruevski dhe Bozhinovski, si njerëz të parë të VMRO-DPMNE-së nga viti 2011 deri në vitin 2016, kanë shfrytëzuar fuqinë e tyre nga pozita e pushtetit për të siguruar një seli të re partiake me vlerë shtatë milionë euro.