Plagoset Marklen Haka, i njohur si anëtar i bandës së Niklës.
Haka i cili i shpëtoi një atentati edhe në vitin 2019, është dërguar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës ku për fat të mirë ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka dhënë informacionin zyrtar për plagosjen e 31-vjeçarit.
“Në Nikël, Krujë, në rrethana ende të paqarta, është plagosur me armë zjarri shtetasi M. H., i cili është transportuar për në Spitalin e Traumës, Tiranë, për ndihmë mjekësore dhe për momentin ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe po vijon krehja e zonës, me qëllim kapjen e autorit.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorise së Rrethit Gjyqësor Krujë, po vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, si dhe identifikimin e kapjen e autorit.”- thuhet në njoftimin e Policisë.
Në media thuhet se Haka ka qenë duke lëvizur me makinë dhe është qëlluar me pistoletë në nofull nga një person ende i paidentifikuar.
Atentati i vitit 2019
Marklen Haka i ka shpëtuar një atentati në derë të shtëpisë së tij në vitin 2019, ku mbeti e vdekur halla e tij, Shpresa Basha.
Ngjarja ndodhi në fshatin Zezë të Fushë-Krujës. E gjithë rruga për të mbërritur tek 3 vilat e fisit Haka ishte e monitoruar 24 orë me kamera sigurie.
Por pavarësisht sigurisë së lartë, atentatorët kishin arritur të futeshin në fshat dhe halla e Hakës kishte hapur derën e jashtme të shtëpisë, kur është qëlluar për vdekje.
Haka i cili ndodhej në oborr kur filluan të shtënat arriti të shpëtonte vetëm me një plumb në krah.