Vendosni fjalën kyçe....

Marrëveshjet e “Ballkanit të Hapur”/ Rama: Së shpejti sesion në Beograd për sigurinë ushqimore, në Shqipëri për energjinë


Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës për mediet ka zbuluar disa nga marrëveshjet, që pritet të firmosen nga vendet pjesëmarrëse të ‘Ballkanit të Hapur’.

Sipas tij shumë shpejt do të mbahet në Beograd një sesion i posaçëm për sigurinë ushqimore, ndërsa në Shqipëri do të mbahet sesioni për energjinë.

“Pjesëmarrja në këtë samit është shumë më e madhe, ashtu si dhe interesi, apo mbështetja. Ne jemi këtu për të finalizuar disa hapa të tjerë të rëndësishëm, që do të hedhim në vijim, në aspektin e sigurisë ushqimore. Do të kemi një sesion të posaçëm në Beograd, i cili do të shoqërohet edhe me një panair të madh të ushqimit dhe verërave të vendeve të Ballkanit të Hapur.

Pastaj do të kemi një sesion të veçantë në Shqipëri, sepse Shqipëria është pika kyçe për të ardhmen e energjisë në rajon. Së shpejti kemi një tjetër firmosje të rëndësishme të furnizimit energjetik. Në Maqedoninë e Veriut kemi një sesion për konjektivitetin. Kemi rënë dakord të ngremë një grup të përbashkët për krizën, që vjen si pasojë e luftës, dhe zgjidhjet e përbashkëta, në mënyrë që të ndihmojmë njëri-tjetrin.

Do të vijë momenti që nuk do jetë më problemi sa u rrit çmimi, por do jetë problemi ku ta gjejmë energjinë. Shqipëria i vetmi vend ku çmimi nuk është prekur asnjë centim dhe vazhdojmë ne në mënyrë të përmuajshme subvencionojmë çmimin. Duhet të ketë një arsye që me gjithë kumtet e kukuvajkave se bujqësia do falimentonte, bujqësia sot është sektori që po rritet në aspektin e prodhimit.”- tha Rama.