Vendosni fjalën kyçe....

Politikania fyeu profetin Muhamed, Al-Kaeda zotohet “të hakmerret” kundër Indisë


Policia është në gatishmëri të lartë në të gjithë Indinë, pasi një degë e grupit terrorist Al-Kaeda kërcënoi se mund të kryente një valë sulmesh për shkak të komenteve që kishte bërë një politikane e partisë në pushtet ndaj Profetit Muhamed.

Siç shkruan RT, Al-Kaeda në nënkontinentin Indian (AQIS) publikoi ​​një letër të hënën duke thënë se shtetet indiane si Delhi, Mumbai, Uttar Pradesh dhe Gujarat do të jenë në shënjestër.

Grupi u zotua të përdorë fëmijë në sulme vetëvrasëse dhe të sulmojë politikanët hindu që jetojnë në komplekse të fortifikuara.

Qeveria indiane ka thënë se po e merr seriozisht kërcënimin dhe policia në shtetet e listuara po vihet në gatishmëri të lartë.

Ky kërcënim nga grupi terrorist vjen pas një vale globale të zemërimit të myslimanëve mbi komentet e bëra nga politikania Nupur Sharma, zëdhënëse e Partisë Bharatiya Janata (BJP) të Indisë. Më 26 maj, Sharma mori pjesë në një debat televiziv ku shprehu pikëpamjet e saj për Profetin Muhamed dhe gruan e tij Aishen. Videoja e saj u bë virale dhe u kritikua nga shumë myslimanë si blasfemi.

Ajo më vonë kërkoi falje në Twitter, duke pretenduar se kurrë nuk kishte për qëllim të fyente bindjet fetare të dikujt. 37-vjeçarja këmbënguli se komenti i saj ishte në përgjigje të “fyerjes dhe mosrespektimit të vazhdueshëm” kundër hyjnisë hindu Mahadev të bërë gjatë debatit. “Unë e tërheq pa kushte deklaratën time.”- shkroi ajo.

Por kërkesa e saj për falje, nuk arriti të shuajë zemërimin e myslimanëve.  Që nga e marta, Indonezia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Maldivet, Jordania, Bahreini, Libia, Katari, Kuvajti, Irani, Arabia Saudite, Omani dhe Afganistani kanë paraqitur të gjitha ankesa zyrtare mbi komentet.

Indonezia, e cila ka popullsinë më të madhe myslimane, ka thirrur ambasadorin indian në Xhakartë. Bahreini i ka denoncuar komentet si “një provokim ndaj ndjenjave të muslimanëve dhe nxitje për urrejtje fetare”.

Çfarë tha politikania që zemëroi myslimanët?

Polemika filloi me komentet e bëra nga Nupur Sharma në stacionin televiziv “Times Now” më 27 maj. Gjatë debatit televiziv, Sharma pyeti në mënyrë retorike nëse ajo duhet të “tallte” disa pjesë të librit të shenjtë mysliman, Kuranit. Ajo përmendi martesën e Profetit Muhamed me Aishen, duke e përshkruar atë si 9-vjeçare në kohën kur u konsumua martesa.

Mosha e saktë e Aishes në kohën e martesës nuk dihet. Disa studiues besojnë se ajo ishte një fëmijë. Të tjerë kanë kundërshtuar se ajo kishte arritur pubertetin në kohën e konsumimit të martesës ( apo kryerjes së aktit seksual).

Pas komenteve të Sharma-s, zëdhënësi i Partisë Bharatiya Janata për rajonin e Delhi, Naveen Kumar Jindal e akuzoi profetin Muhamedin për përdhunim në një postim në Twitter.

Sharma më vonë kërkoi falje, duke thënë se ajo thjesht ishte kundërpërgjigjur ndaj fyerjeve për hindutë.