Vendosni fjalën kyçe....

Rama nga Shkupi për Ballkanin e Hapur: Do e bëjmë Europën në vendin tonë


Kryeministri Rama ka ironizuar çështjen e integrimit europian të Shqipërisë duke përsëritur batutën se ‘Shqipëria nuk do përgatitet më për dasmë e se do vishet me rroba të rastit’ duke nënkuptuar zhgënjimin për mosçeljen e negociatave.

Gjatë fjalës së tij në takimin e radhës së nismës Ballkani i Hapur që kësaj here mbahet në Maqedoninë e Veriut, Rama tha se Shqipëria do e ndërtojë Europën në vendin e saj ndërsa i bëri thirrje Shkupit zyrtar që të vijojë rrugën e tij drejt integrimit pavarësisht pengesës që i vjen nga Bullgaria.

“Dy fjalë për BE-në për dasmën e radhës, se sa herë afron ky Këshilli Evropian është njësoj si të bëhemi gati për dasmë. Unë e kam thënë dhe më parë, Shqipëria nuk do përgatitet më për dasmë, do vishet me rroba të rastit. Në pritje të krushqve se nuk vjen dhëndri në derë. Ballkani i Hapur është burrë, Europa e Bashkuar është nusja. Kjo është keq për ne se po të ishim nusja nuk do ngelnim në derë. Ne e kemi shumë të qartë rrugën tonë. Ne do ta ndërtojmë Europën këtu. Do ndërtojmë sistemet tona të funksionimit, të shtetit, të ekonomisë, të gjitha dhe prandaj kur ata të duan dasmën do jemi gati. Ndaj u themi miqve të Maqedonisë së Veriut të mos ta marrin me stres.  Dhe Bullgaria burrë është, një burrë me problem. Ne shqiptarët jemi në rregull, nëse na duan gati na kanë. Nëse nuk na duan prapë këtu jemi. I dashur Dimitër, është koha t’i jepni fund këtij stresit, na duan-s’na duan. E rëndësishme t’i bëjmë këtu gjërat. Kur shkoja në Bruksel më dukej sikur merrja kurajë, sot më duket sikur duhet t’u jap unë kurajë. Shkojmë t’i japim çik energji atyre sepse Ballkani nuk vdes, aq më keq Ballkani i Hapur. Serbia nuk do ikë në planet tjetër, Maqedonia jo e jo, as Bosnja jo e jo, ne shqiptarët nuk kemi ku shkojmë se këtu jemi. BE me të parë me të bërë. Ne jemi këtu, në mes të Europës. BE na bëjnë ata, po E-në Europian e kemi vetë.” – deklaroi Rama.