Vendosni fjalën kyçe....

Veliaj e Manja firmosin marrëveshjen: Shërbim prove në komunitet për të dënuarit, t’i largohemi filozofisë “burg për gjithçka”


Këtë të mërkurë Bashkia e Tiranës, nëpërmjet Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Drejtësisë.

Marrëveshja e firmosur nga kryebashkiaku Erion Veliaj dhe ministri Ulsi Manja, ka të bëjë me zbatimin e dënimit alternativ për personat e dënuar që ta shlyejnë atë duke kryer punë për interes publik.

Gjatë fjalës së tij, Veliaj tha se kjo formë rehabilitimi është shumë herë më e pranushme për të miturit, të cilët kështu mësojnë të bëjnë diçka të dobishme edhe për shoqërinë.

“Jemi shumë të lumtur nga qasja e ministrit Manja, për t’u larguar nga filozofia e vjetër e dënimit me burg për gjithçka, sidomos kur bëhet fjalë për të miturit. Rehabilitimi është shumë herë më i pranueshëm dhe më civil sesa burgu. Në Tiranë kemi 3500 dënime, nga të cilat 700 janë me orë pune në komunitet.

Nga kjo listë e gjatë për shlyerjen e dënimit, 700 qytetarë lirohen nga detyrimi që kanë ndaj shoqërisë dhe ligjit duke kryer diçka të dobishme, edhe për vetvlerësimin e tyre. Mezi pres që këto risi që kemi futur në Tiranë t’i çojmë edhe në qytetet e tjera, sidomos tani që fillon sezoni i plazhit sepse ka nevojë për pastrim, gjelbërim, mirëmbajtje etj.”– tha kreu i Bashkisë.

Ministri Manja nga ana tjetër tha kjo marrëveshje ka një përfitim të dyanshëm, si për qytetarët që duhet të kryejnë dënimin e tyre, ashtu edhe për sistemin e drejtësisë.

“Ne do të vëmë në dispozicion të Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit të gjithë personat e dënuar në konflikt me ligjin, por edhe të miturit e dënuar në konflikt me ligjin me dënim alternativ, punë-interes-publik që ta shlyejnë këtë dëm që i kanë shkatuar interesit publik nëpërmjet punës. Kjo aplikohet në të gjitha vendet e Europës dhe shkon me përputhje edhe me qëllimin e dënimit, që është rehabilitimi dhe riintegrimi social i personave të dënuar në konflikt me ligjin. Përfitimi nga kjo marrëveshje është dyanshëm. Për ne si Ministri e Drejtësisë, si Shërbimi i Provës që mbikqyrin këto dënime, është rehabilitimi dhe integrimi në kohë i këtyre personave, ndërsa publiku, shoqëria në krahun tjetër, kompesohet për dëmin që i kanë shkaktuar këta persona.”- u shpreh Manja.