Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti deklaroi në emisionin “Çim Peka Live” se prej 20 vitesh ka folur për pajtimin e rajonit dhe promovuar se në luftë të përhershme nuk mund të jetohet.
Deklaratën Ahmeti e bëri duke komentuar nismën Ballkani i Hapur të cilën Kryeministri Edi Rama në Ohër ia faturoi si iniciativë të drejtuesit të BDI-së.
“Në hasmëri të përjetshme nuk mund të mbijetojmë dhe e kam promovuar në kohë shumë të vështira. Duhej të arrihej një pajtueshmëri midis dy komuniteteve më të mëdha këtu në Maqedoni.
Komuniteti maqedonas nuk e mbështeste marrëveshjen paqësore të Ohrit sepse mendonin se shteti nuk do jetë në pronësi të tyre, por pronësia kalon tek shqiptarët.
Jam përpjekur duke thënë se s’jemi fajtorë për luftën, por ata që na mohonin të drejtat, na burgosnin e vrisnin.
Ky shtet mund të mbijetojë vetëm si shtet i përbashkët dhe përgjegjësitë i marrin dy komunitetet më të mëdha, ai maqedonas dhe shqiptar.
Nën qiellin që kemi sipër është i përbashkët dhe të gjitha proceset me përgjegjësi të madhe duhet t’i udhëheqim e t’i drejtojmë ne.”-tha Ahmeti.
Kreu i BDI doli në mbështetje të nismës ‘Ballkani i Hapur’ nëse ajo shmang luftën, me qëllim që të arrihet pajtimi mes vendeve të Ballkanit.
“Që të arrihet pajtimi midis popujve të Ballkanit Perëndimor. E shoh si një instrument për t’u pajtuar Ballkani.”-tha Ahmeti.