Ambasadori i Rusisë në Uashington, Anatoly Antonov, ka zbuluar se ka marrë një letër që e fton të dënojë presidentin Vladimir Putin.
Mesazhi sugjeronte që ai duhet ‘të heqë dorë nga atdheu i tij dhe të dënojë veprimet e presidentit rus’, tha Antonov për Channel 1 të Rusisë të martën.
“Nëse doja e bëja këtë, më thanë të kontaktoja zyrën e Zëvendës Sekretares së Shtetit Wendy Sherman.” – shtoi ai.
Ambasada ruse i ka shkruar Departamentit të Shtetit të SHBA-së duke kërkuar të dijë ‘çfarë do të thotë e gjithë kjo’, tha diplomati.
Antonov pohoi gjithashtu se njerëzit kanë shpërndarë karta që dyshohet se përmbajnë kontakte të FBI-së jashtë kompleksit të Ambasadës Ruse dhe kanë ftuar stafin të bisedojë me shërbimet speciale të SHBA-së.
Ai gjithashtu vuri në dukje se mediat amerikane publikuan shkrime që i bënin thirrje personelit të shërbimit rus dhe diplomatëve të tradhtonin vendin e tyre, shtoi ai.
“Theksoj kundërshtimin tim të vendosur ndaj politikave të tilla dhe një trajtimi të tillë të diplomatëve rusë.” – tha ambasadori.
Marrëdhëniet midis Moskës dhe Uashingtonit janë përkeqësuar ndjeshëm që nga fillimi i ofensivës ushtarake të Rusisë në Ukrainë në fund të shkurtit.
SHBA ka mbështetur në mënyrë aktive Kievin me armë, fonde dhe inteligjencë. Muajin e kaluar, presidenti amerikan Joe Biden miratoi një paketë ndihme ushtarake prej 40 miliardë dollarësh për Ukrainën.
Uashingtoni ka vendosur sanksione të ashpra ekonomike ndaj Rusisë për veprimet e saj në Ukrainë, duke përfshirë ndalimin e importeve të naftës, duke ushtruar gjithashtu presion mbi vendet që vazhdojnë të bashkëpunojnë me Moskën.
=