Vendosni fjalën kyçe....

Berisha për Ramën: Bastardi i bllokmenëve hoxhistë që ia mbathi e ka humbur sensin e realitetit


Kreu i PD-së Sali Berisha në fjalën e tij në Kuvend ka sulmuar kryeministrin Edi Rama i cili më herët i përmendi “non-gratën” nga SHBA-të dhe u largua nga Parlamenti.

Berisha tha se Rama e ka humbur sensin e realitetit kur me krenari thotë se po bën heroizëm me energjinë elektrike.

“Prej kohësh në këtë Parlament janë denoncuar Bordet si institucione të të shkuarës sonë komuniste dhe sot një bastard i bllokmenëve hoxhistë e konfirmoi këtu krenarisht se me këtë metodë komuniste ka gjetur shpëtimin e qytetarëve shqiptarë.

Unë e denoncoj këtë, e kam denoncuar dhe do e denoncoj sa herë të dal në këtë platformë Bordet, si shushunja të cilat po i pijnë gjakun, po u boshatisin xhepat, po i nxijnë jetën, po i fusin në depresion me çmime stratosferike si askund tjetër në Evropë dhe në botë në mënyrën më të pamëshirë, vetëm e vetëm për të mbrojtur qeverinë dhe oligarkët e saj.

Ai që iku, që ia mbathi, dhe kjo zonja këtu bëhet parrzmore e tij duke shkelur rregulloren në çdo nen, ai që ia mbathi tha se po bën heroizëm me energji. Të dashur qytetarë, por ky vend nuk prodhon qoftë edhe një kilovat energji nga nafta, as nga gazi, të gjithë energjinë e ka nga burimet natyrore dhe ujore.

Ky vend në dallim nga Maqedonia, prodhon 1 milionë ton naftë në vit. Kurse nafta këtu është në çmimet më të larta në Evropë dhe në Botë, kurse energjia këtu është jo në proporcion, por pa proporcion dhe me çmimet më të larta në Evropë. Në mënyrën më të papërgjegjshme deklarohet se biznesin e vogël e kemi me zero taksa në një kohë kur vetëm me energji elektrike biznesit të vogël i merren dy herë më shumë se sa i merreshin me taksat vite më parë. Ky zotëri ka humbur çdo sens realiteti, vjedhja e përditshme e përorshme, e përnatshme duket se shërben si një narkotikë që të shkëput nga realiteti dhe bota përreth.”- tha Berisha.