Vendosni fjalën kyçe....

Dekreti për lirimin nga detyra të Begajt, Meta: Vonesa nuk do zgjidhte punë


Presidenti në detyrë, Ilir Meta deklaroi se vonesa për dekretimin e lirimit nga detyra të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Bajram Begaj, nuk do të zgjidhte asgjë.

Meta theksoi se nuk ka pasur iluzion që Presidenti të mos zgjidhej nga shumica.

“Presidenti do zgjidhej nga kjo maxhorancë. Nuk kam pasur ndonjëherë ndonjë iluzion. Sot kemi ligjet për të bërë detyrat në përputhje me kushtetutën. Unë nuk kam pritur asnjë proces normal sepse këtu nuk ka pasur normalitet me çështjet e tjera.

A ka pasur gjë normale që opozita të ikë nga parlamenti dhe a ka pasur gjë normale që të bëhen zgjedhjet me një parti? Çfarë do zgjidhte punë në këtë rast vonesa. Nuk ka asnjë lidhje. Nuk kam pasur asnjë komunikim me kryeministrin por vetëm me ministrin e mbrojtjes.

Ka pasur komunikim zyrtar. Dekreti nuk është bërë në Stamboll. Zyra që protokoll kërkesat është atje. Zyra që harton dekretin është në presidencë. Kam pasur komunikim me zotin Tritan Shehu sepse ka pasur një debat paraprakisht për çështje nenesh”, tha Meta në emisionin “Open”.