Vendosni fjalën kyçe....

Deputeti Nallbati ironizon qeverinë: U bëtë telef për këtë popull, mos u lodhni kaq shumë


Deputeti Bledion Nallbati ka ngritur zërin sot lidhur me rritjen e çmimeve të produkteve të shportës. Ai ironizoi qeveritarët për bordet e ngritura duke thënë se u “bënë telef” duke punuar për këtë popull.

“Ju garantoj që shqiptarët nuk kërkojnë kaq shumë të lodheni ju. Mos u sikletoni kaq se u bëtë telef për këtë popull, aq sa po u vjen gjynah për ju. Mos bëni asgjë më shumë se sa bëjnë vendet e rajonit dhe ju siguroj që shqiptarët do të jenë të kënaqur. Por ju jeni në një ëndërr delirante dhe mendoni se gjithçka që bëni ju u shërben atyre. Por gjithçka që bëni ju, ju shërben vetëm ju dhe 3-4 kompanive.”- tha Nallbati.

Ai theksoi se nuk është nevoja të kthehemi prap në ekonominë e shtetëzuar. Deputeti demokrat kërkoi ulje të TVSH-së për produkte të shportës si dhe përsëri thirrjen për heqjen e disa prej taksave për karburantet.

Pjesë nga fjala e Nallbatit

Sot që flasim ne kemi çmimin më të lartë të karburantit në Evropë, ndërkohë që kemi pagat më të ulëta për frymë në Evropë. A e dini ju se fermerët shqiptarë po përballen me një mungesë drastike të tregut për produktet e tyre?

A e dini që janë sot e kësaj dite kur kemi gati prodhimin për sezonin tjetër, mollët e Korçës e të Devollit akoma nëpër frigoriferë? E aq më tepër nëpër kanale?

Gjithashtu edhe qershia dhe produktet e tjera. Ç’bëtë ju për këtë? Cilat kanë qenë masat që keni marrë për të zgjidhur këtë problematikë?

Po, vendosët përsëri taksën mbi imputet bujqësore, lejoni monopolin e këtij tregu, vendosët këtë të famshmen skemë për TVSH dhe këtu kam një pyetje të drejtpërdrejtë për ministren e Financave? Sepse ne nuk i kuptojmë këto skemat, nuk jemi aq të iluminuar, a mund të na shpjegoni kjo skema e TVSH-së për grumbulluesit e produkteve bujqësore është TVSH apo TVM? Sepse ne na del që shtë takse mbi vlerën e mallit, pasi kjo skemë i detyron importuesit që blejnë prodhimin e fermerëve shqiptarë me zero dhe ta shesin me 20.

Me aq pak sa kuptojmë ne, TVSH është tatim mbi vlerën e shtuar, skema juaj na del që është tatim mbi vlerën e mallit? Apo jo? Jo?!

Kaq dimë ne të shkretët. Hajde të na e shpjegosh ti se si është. A e dini ju që Shqipëria po shpopullohet gjithmonë e më tepër. A e dini se po të shkoni në periferi, nëpër fshatra, nuk gjeni asnjë të ri. Por vetëm pleq?! Po kjo po ndodh edhe këtu para syve tuaj në Tiranë.

Kudo të bredhësh nëpër rrugët e Tiranës do shikosh nëpër fasadat e bizneseve njoftime, kërkojmë kamarierë, kërkojmë banakierë, kërkojmë shitës, kërkojmë elektriçistë, kërkojmë hidraulik. Nuk po flas për mjekët se për atë e mora shpjegimin nga zv.ministrja në komision, tha se zëvendësojmë mjekët dhe infermierët gjermanë që emigrojnë.

Në këto kushte qytetarëve shqiptarë nuk do t’u vlente ky akt normativ. Por do t’u vlenin disa vendime të tjera.

Kemi kaq kohë që ju kërkojmë të ulni TVSH-në për produktet e shportës. Jemi i vetmi vend në rajon që kemi TVSH për produktet e shportës 20%. Kemi kaq kohë që ju kërkojmë të hiqni disa nga taksat për karburantin.

Po ju s’bëni këtë. Ju krijoni borde. Tani ministrja nga kjo foltore tha dy gjëra për bordet. E para tha se ne jemi qeveria që nuk besojmë tek Bordet, por i ngrejmë bordet. E dyta tha po të mos ishin bordet, çmimet do të ishin më të larta se sa janë.

Po këto vendet e tjera të rajonit që nuk kanë borde, si ka mundësi që i kanë çmimet më të ulëta se sa ne?! Pra na e ndani, vlejnë apo nuk vlejnë bordet, i besoni apo nuk i besoni? S’e këtej thoni nuk i besojmë, këtej i ngrini. Ketej thoni që pa bordet çmimet do ishin më të larta, por na rezulton se kudo ku nuk ka borde çmimet janë më të ulëta.

Këtu ku ka borde ka çmime më të larta. Pse lodheni kaq shumë të shpikni skema të cilat bien për së largu era abuzivisëm dhe klientelizëm?! Ju shpesh i lejoni vetes të krahasoni arritjet tuaja edhe me vendet e Evropës. Por në fakt nuk krahasoni dot as me vendet e rajonit. Nuk kuptoni tha ministrja pak më parë, nuk dini të bëni llogari. Nuk po bëj llogari unë, po i referohem raportit të Bankës Botërore për Paketën e Ndihmës që dhatë ju për Krizën. 1.4% të PBB-së dhatë ju, 4.9 Maqedonia.

Mbase edhe këta të Bankës Botërore nuk dinë kështu që përpiquni t’i iluminoni edhe ata pak. Ju garantoj që shqiptarët nuk kërkojnë kaq shumë të lodheni ju. Mos u sikletoni kaq se u bëtë telef për këtë popull, aq sa po u vjen gjynah për ju. Mos bëni asgjë më shumë se sa bëjnë vendet e rajonit dhe ju siguroj që shqiptarët do të jenë të kënaqur. Por ju jeni në një ëndërr delirante dhe mendoni se gjithçka që bëni ju u shërben atyre. Por gjithçka që bëni ju, ju shërben vetëm ju dhe 3-4 kompanive.

Edhe tani doni t’u krijoni garanci për likuiditete. Nuk kanë nevojë ata. Garantoni rritjen ekonomike, stimuloni familjet shqiptare, rrisni konsumin, dhe i krojojnë vetë likuiditetet kompanitë, nuk kanë nevojë. Nëse këto produkte do të shiten, kompanitë akululojmë likuiditet dhe nuk ka nevojë të kthehemi prap në ekonominë e shtetëzuar.