Vendosni fjalën kyçe....

I kapet pistoleta në çantë, pranga 40-vjeçarit në Tiranë


Një 40-vjeçar është arrestuar në Tiranë pasi është kapur me një armë zjarri pa leje.

Në pranga ka rënë Ritvan Xhota, banues në Tiranë.

Atij  iu gjet me vete teksa udhëtonte me një motor në bulevardin ‘Bajram Curri’ një pistoletë pa leje dhe një krehër me fishekë.

Njoftimi

“Operacioni, i zhvilluar nga Forca e Posaçme “Shqiponja”. Qarkullonte me armë zjarri me vete, vihet në pranga 40-vjeçari. Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë, një krehër dhe municion luftarak.

Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se në bulevardin “Bajram Curri”, një shtetas i armatosur po lëvizte me një motomjet, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Black bag”.

Si rezultat i këtij operacioni, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:

– R. Xh., 40 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Gjatë kontrollit të çantës së këtij shtetasi, në bulevardin “Bajram Curri”, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë, një krehër dhe municion luftarak. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.”