Vendosni fjalën kyçe....

Kina ndërton fshehurazi bazën ushtarake në vendin aziatik, alarmohen SHBA-ja e Australia – Washington Post


Kina po ndërton një bazë detare për ushtrinë e saj në Kamboxhia, me Pekinin dhe Phnom Penhin që po bëjnë përpjekje të mëdha për të fshehur operacionin, raportoi të hënën Washington Post, duke cituar zyrtarë perëndimorë.

Objekti, që zë një pjesë të bazës detare të Kamboxhias Ream në Gjirin e Tajlandës, do të bëhet baza e dytë e huaj e Kinës pas hapjes së një baze në vendin e Afrikës Lindore, Xhibuti, në vitin 2017, pohoi një zyrtar perëndimor, duke folur në kushtet e anonimitetit.

Baza thuhet se ndodhet në perëndim të Detit të Kinës Jugore, ku Pekini ka pretendime territoriale të mbivendosura me disa vende. Ajo do jetë në gjendje të presë anije të mëdha detare, sipas burimit.

Udhëheqja në Pekin e sheh ‘Indo-Paqësorin si sferën e ligjshme dhe historike të ndikimit të Kinës’, citohet të ketë thënë një zyrtar.

“Ata e shohin ngritjen e Kinës atje si pjesë të një tendence globale drejt një bote shumëpolare ku fuqitë e mëdha pohojnë më me forcë interesat e tyre në sferën e tyre të perceptuar të ndikimit. Në thelb, Kina dëshiron të bëhet aq e fuqishme sa që rajoni të dorëzohet para lidershipit të Kinës në vend që të përballet me pasojat.” – shtoi burimi.

Washington Post shkroi se ceremonia e hapjes së themeleve në bazën detare Ream do zhvillohet të enjten, me burime që pohojnë se Pekini do konfirmojë përfshirjen e tij në zgjerimin e objektit kamboxhian, por do heshtë për planet që ajo do përdoret nga ushtria kineze.

Marrëveshja për ndërtimin e strukturave të reja në bazë u përmbyll në vitin 2020, duke parashikuar që ushtria kineze të kishte ‘përdorim ekskluziv të pjesës veriore të bazës, ndërsa prania e tyre do mbetej e fshehur’, tha një zyrtar i dytë për gazetën.

Për të ruajtur sekretin, delegacioneve të huaja që vizitojnë bazën detare Ream u është lejuar qasja vetëm në një numër të caktuar vendndodhjesh brenda kompleksit, ndërsa trupat kineze atje kishin veshur uniforma kamboxhiane ose rroba civile për të shmangur ngritjen e dyshimeve, pohoi burimi.

“Ajo që ne kemi parë me kalimin e kohës është një model shumë i qartë dhe i qëndrueshëm i përpjekjes për të turbulluar dhe fshehur si qëllimin përfundimtar shtrirjen e përfshirjes ushtarake kineze.” – tha zyrtari.

“Gjëja kryesore këtu është përdorimi ekskluziv i Ushtrisë Çlirimtare Popullore Kineze të objektit dhe pasja e një baze ushtarake të njëanshme në një vend tjetër.”

Pekini dhe Phnom Penh janë përpjekur ta mbajnë të fshehtë projektin për shkak të shqetësimeve rreth reagimit në Kamboxhia pasi Kushtetuta e vendit të Azisë Juglindore ndalon mbajtjen e bazave ushtarake të kombeve të tjera, tha zyrtari. Si kryetar i Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) këtë vit, Phnom Penh gjithashtu nuk dëshiron të shihet si ‘një peng’ i kinezëve, shtoi ai.

Kur u pyet nga Washington Post, ambasada kamboxhiane në SHBA hodhi poshtë pretendimet e zyrtarëve të paidentifikuar, duke i quajtur ato ‘akuza të pabaza të motivuara për të goditur negativisht imazhin e Kamboxhias’. Ministria e Jashtme kineze nuk iu përgjigj një kërkese për koment, sipas gazetës.

Kryeministri i ri i Australisë, Anthony Albanese, e ka përshkruar raportin e Washington Post si ‘shqetësues’. Canberra dhe Phnom Penh mbeten në kontakt të rregullt dhe ‘ne jemi siguruar vazhdimisht se asnjë ushtrie të huaj nuk do i jepet qasja ekskluzive në Ream’, u tha ai gazetarëve të martën gjatë një vizite në Indonezi.

Sipas Albaneses, Australia ka qenë e vetëdijshme për veprimtaritë e rivalit të saj në Paqësor në bazën detare Ream.

“Ne nxisim Pekinin që të jetë i hapur në lidhje me qëllimin e tij dhe të sigurojë që veprimet e tij të mbështesin sigurinë dhe qëndrueshmërinë rajonale.” – tha ai.

Në fund të majit, media perëndimore zbuloi një draft dokument që tregonte se Pekini po planifikonte të ofronte marrëveshje bashkëpunimi ekonomik dhe të sigurisë për 10 kombe të vogla ishullore në Paqësor. Marrëveshjet thuhet se ishin shumë të ngjashme me atë të nënshkruar nga Kina dhe Ishujt Solomon në prill.

Marrëveshja zemëroi SHBA-në dhe Australinë, me Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit, Daniel Kritenbrink, duke paralajmëruar se Uashingtoni – i cili ka qindra baza në mbarë botën – do kishte ‘shqetësime të rëndësishme dhe ne u përgjigjemi shumë natyrshëm këtyre shqetësimeve nëse Kina krijon një bazë ushtarake në Ishujt Solomon’.

Pekini hodhi poshtë kritikat amerikane dhe australiane, duke thënë se ato shtrembërojnë ‘faktet dhe shpifin bashkëpunimin e rregullt të Kinës me vendet e Oqeanisë’. Marrëveshja me Ishujt Solomon do të kishte një efekt pozitiv në zhvillimin paqësor të rajonit, këmbënguli zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Zhao Lijian, duke dhënë garanci se ‘ne nuk synojmë të ndërtojmë baza ushtarake atje’.

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani