Vendosni fjalën kyçe....

Nisma e re e Bardh Spahisë për Shkodrën bën bashkë zv.ministra dhe ambasadorë: Ta bëjmë qytetin më të mirë


Bashkia Shkodër ka mbajtur këtë të enjte konferencën e parë të partnereve në kuadër të nismës për zhvillim “Shkodra N’Fokus”.

Përmes kësaj nisme, kryebashkiaku Bardh Spahia, synon të rrisë mbështetjen financiare për Shkodrën, duke zbatuar disa projekte që nxisin punësimin dhe rrisin cilësinë e jetës në këtë bashki.

Ajo që ra në sy, ishte pjesëmarrja e qeverisë, e cila, ka patur një marrëdhënie të tensionuar në të kaluarën me bashkinë e Shkodrës.

Me praninë e disa zëvendësministrave, përfaqësuesve të biznesit dhe disa ambasadorëve, vendet e të cilëve janë donatorë në shumë projekte, bashkia konsideron se u hodh hapi i parë për krijimin e një rrjeti të gjerë mundësish dhe bashkëpunimi për investime në Shkodër.

Kryetari i Bashkisë Shkodër, Bardh Spahia, u shpreh se kjo inisiativë vjen si pjesë e vizionit për të dhënë një impuls të ri zhvillimit të Shkodrës.

“Shkodra n’Fokus do të thotë Shkodra metropol, Shkodra e pastër dhe e gjelbër, Shkodra që punon, Shkodra me arsim cilësor, Shkodra me shërbime publike të denja për shkodranët, Shkodra me infrastrukturë të re. Shkodra n’Fokus do të thotë një qytet që nuk largon, por fton të rinjtë të punojnë, të jetojnë këtu për ta bërë qytetin tonë të dashur akoma më të mirë!

Është hera e parë për mua që i drejtohem një audience të tillë me qëllimin për të bërë bashkë sa më shumë miq vendas dhe të huaj për Shkodrën. Miq, të cilët, shpresoj, se do të na japin besim e mbështetje për të çuar përpara projektet tona për Shkodrën n’Fokus. Është hera e parë, gjithashtu, që më jepet kjo mundësi e jashtëzakonshme për ta ndryshuar për mirë jetën në qytet! Është një borxh që duhet t’ua kthejmë të parëve tanë, është një detyrim që e kemi për fëmijët tanë!“– u shpreh Kryetari i Bashkisë.

Një nga partnerët e rinj të Shkodrës do të jetë Akademia Comau, e konsideruar si lider botëror në robotikë dhe inovacion industrial. Drejtori i Akademisë, Francesco Faccio ishte konkret në mbështetjen e tij për kryebashkiakun Spahia dhe për Shkodrën.

“Ndajmë me kryetarin e Bashkisë të njëjtin pasion për rininë dhe inovacionin, kemi shumë përzemër këtë projekt në Shkodër aq sa jemi të gatshëm të kontribuojmë edhe në financimin e projekteve innovative në teknologji në Shkodër.”– deklaroi Francesco Faccio, Drejtor i Akademisë Comau.

Gjatë kësaj konference, ekspertët e Bashkisë kanë paraqitur para donatorëve 18 projekte në fushat prioritare, të cilat janë gati për financim në territorin e Bashkisë Shkodër. Përmes kësaj nisme, Bashkia Shkodër sjell një vizion të ri të bashkëpunimit me të gjithë për të zhvilluar rajonin e Shkodrës.