Vendosni fjalën kyçe....

Rrufeja godet banesën në Malësinë e Madhe, ndërron jetë një person


Moti i keq i ka marrë jetën një personi në Malësinë e Madhe. Mësohet se në fshatin Dedaj të Shkrelit në Malësinë e Madhe i ka rënë rrufeja një banese e cila më pas është përfshirë nga flakët.

Si pasojë ka humbur jetën shtetasi Arben Ivanaj, rreth moshës 50-vjeçare, i cili ndodhej në banesën e komshiut.

Grupi hetimor i policisë është nisur drejt vendit të ngjarjes, ndërkohë që kanë mbërritur edhe forcat zjarrfikëse për shuarjen e flakëve.

“Më datë 09.06.2022, në orën 13:15, në fshatin Dedaj, Malësi e Madhe, dyshohet se për shkak të goditjes së rrufesë është krijuar shkëndijë elektrike në banesën e shtetasit P. Ç. 63 vjeç.   

Për pasojë është djegur pjesërisht banesa, si dhe ka pësuar djegie në trup, shtetasi A. I., 51 vjeç, banues në fshatin Dedaj, Malësi e Madhe, që po qëndronte në këtë banesë, i cili ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal Shkodër.”– thotë Policia.

Prej gati 2 orësh Shqipëria është pushtuar nga moti i keq me reshje të dendura të shiut dhe vetëtima, të cilat kanë shkaktuar edhe problematika në disa akse rrugore.