Vendosni fjalën kyçe....

Arratisja në burgun e Trevisos/ I burgosuri që arriti t’ja mbathte është Edison Pula


Një prej tre të burgosurve me origjinë shqiptare të cilët u arratisën nga burgu i Trevisos, është Edison Pula.

Ai njihet si anëtar i bandës së Niklës, i cili u arratis dhe nga policia e Fushë-Krujës në vitin 2017.

Të burgosurit shqiptarë u arratisën rreth orës 5 të mëngjesit të së enjtes, 9 qershor, pasi kanë prerë hekurat në qeli dhe janë ulur me çarçafë. Dy prej tyre janë marrë menjëherë nga policia e burgjeve.

I arratisuri, 27-vjeçari Edison Pula, mbahej me një urdhër-arresti europian për tentativë vrasje, grabitje, posedim lëndësh plasëse dhe vepra të tjera të trafikut të drogës, të gjitha të kryera jashtë Italisë.

Mediet italiane shkruajnë se edhe në Veneto, Pula kishte vepruar shumë: përveç grabitjes së kryer në Mogliano në nëntor të vitit 2021, ndaj naftëtarit Luciano Miotto, shqiptari kërkohej së bashku me një bashkëpunëtor për plaçkitjen e shtëpive të Valbellunës me një sërë vjedhjesh të papara.

Burri dhe bashkëpunëtori i tij Imer Masha u arrestuan në shkurt të këtij viti. Mediet e shtetit fqinj i quajnë ata profesionistë të një niveli të caktuar kriminal, të cilët për disa muaj grabitën banesa të shumta, duke iu shmangur të gjitha kontrolleve të organizuara nga forcat e policisë dhe duke grumbulluar një plaçkë shumë të konsiderueshme.

Policia kishte zbuluar strofkën e tyre në një vilë të madhe të pabanuar në fshatin Carbonera. Zëvendësprokurorja e Republikës së Bellunos, Marta Tollardo kishte urdhëruar kontroll, i cili rezultoi pozitiv. Të dy ishin dërguar në burgun e Trevisos, nga i cili Pula u arratis dje.

Në pamjet e publikuara nga Il Gazzetino, shihet momenti kur tre shqiptarët vrapojnë në një fushë të gjelbërt pranë burgut, pasi më herët kishin zbritur me çarçafë pasi kishin prerë me sharrë hekurat e dritares në qelinë e tyre.