Gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës, Anila Guri është konfirmuar në detyrë.
Kolegji i Posaçëm i Apelimit njoftoi se trupa e gjeti të padrejtë vendimin e Komisionit për shkarkimin e gjyqtares dhe vendosi ta prishë atë.
Rasti i Gurit shihej me përparësi veting për shkak se kandidoi për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese. Ajo u shkarkua nga KPK për pamundësi financiare dhe deklarime të pasakta.
Sipas raportit të ILDKPI-së, gjyqtarja Guri “nuk kishte kryer deklarim të saktë të pasurisë, s’ka burime të ligjshme, ka kryer fshehje e deklarim të rremë”.
Por në procesin e rivlerësim nga KPA, u gjykua se vendimi i KPK-së ishte i pabazë dhe se Guri nuk mund të mbahej përgjegjëse për ndërtimin e një shtëpie nga bashkëshorti para martese.
Gjyqtarja Anila Guri (Kristani) e ka nisur karrierën e saj në korrik të vitit 1996 në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ku shërben prej më shumë se 23 vitesh.