Vendosni fjalën kyçe....

Marrëveshja e gazit për Frakullën dhe Povelçën, rezerva e llogaritur 650 milionë Nm3


Qeveria kaloi vetëm një ditë më parë marrëveshjen me ndarje prodhimi për zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin e gazit natyror në Frakull dhe Povelçë.

Vendburimet në pronësi të kompanisë shtetërore Albpetrol kanë mbetur të pashfrytëzuara prej vitesh teksa investitori i ri do të investojë 1 milionë dollarë në total për rijetëzimin e tyre.

Detajet i dha Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, por pa publikuar emrin e kompanisë e cila ka hyrë në marrëveshje me qeverinë dhe as mënyrën sesi është menduar ndarja e prodhimit.

Të dhënat zyrtare të Albpetrol tregojnë se këto dy fusha janë ndër më të rëndësishmet në vend nga pesë në total të identifikuara për shfrytëzim gazi. Sipas një vlerësimi të llogaritur vetëm pak vite më parë nga kompania publike e prodhimit dhe nxjerrjes së naftës rezerva më e madhe në këto fusha që ndodhen në Bashkinë e Fierit mendohet se është në Frakull me mbi 352 Nm3.

Nm3 nënkupton sasinë e Gazit Natyror, e cila, kur është absolutisht e thatë, në temperaturën zero gradë Celsius (0° C) dhe në një presion absolut prej një dhjetore zero një tre dy pesë (1,01325) bar, zë një vëllim prej një (1) metër kub.

Ndërkohë, së bashku me rezervën e llogaritur të gazit në Povelçë prej 298 milionë Nm3, totali vlerësohet në 650 milionë Nm3.

Albpetrol nxori për shprehje interesi dy fushat e gazit ne fund të vitit 2020 duke pritur oferta nga investitorë potencialë që tashmë duket se është materializuar me një marrëveshje.

Aktiviteti i nxjerrjes së gazit në vend mbetet anemik dhe kryesisht lidhet me kompani që ushtrojnë aktivitetin e nxjerrjes dhe prodhimit të naftës të cilat e kanë të integruar edhe këtë pjesë në sasi të vogla.

Rritja e çmimeve të gazit dhe naftës ka bërë të interesuar operatorët edhe në vendin tonë që të rifokusojnë investimet në kërkim e prodhim, tendencë që ishte ul drastikisht në dy vitet e fundit, për shkak të pandemisë.

Vetëm pak javë më pare, ishte Delvina Gas Company që aplikoi pranë autoriteteve publike për plotësimin e hallkave të nevojshme që lidhen me zhvillimin e vendburimit të Delvinës sa i takon kërkimit dhe shfrytëzimit të gazit natyror.

Vendburimi i Delvinës i zbuluar në vitin 1987, me pusin Del-4 dhe pusin Del-12, sipas dokumenteve jep aktualisht një prodhim të stabilizuar në masën 8-10 mijë Nm3 /ditë. Intensifikimi i punës në puset e tjera dhe kryerja e punimeve për përmirësimin e këtij aspekti duket se synojnë pikërisht rritjen e prodhimit të gazit.

Kompania në dokument pranon se nuk do të zhvillojë sheshe të tjera përveç atij ekzistues ndërkohë që ndalet tek investimet që do të bëhet në puse me pajisje shtesë. / N. Maho

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor