Baret dhe restorantet vijuan të kenë një vit negativ në 2021, ndonëse kufizimet u lehtësuan dhe aktiviteti ekonomik u gjallërua. Sipas të dhënave të regjistrit të bizneseve të INSTAT, në vitin 2021 u mbyllën 854 aktivitete të shërbimeve të ushqimeve e pijeve, me rënie 5.2%.
Në vend zhvillojnë aktivitet rreth 15,500 bare e restorante, nga 22 mijë në vitin 2015, duke qenë aktiviteti i dytë më i preferuar në vend, pas biznesit të tregtisë me pakicë.
Përfaqësuesi i shoqatës së Bareve dhe Restoranteve Enri Jahaj i kontaktuar nga “Monitor” tha se mbyllja e këtyre strukturave është ndikuar nga pandemia.
Shoqata paralajmëron se numri i bizneseve të mbyllura do të rritet edhe në 2022, për shkak të rënies së konsumit nga kriza e përgjithshme e rritjes së çmimeve dhe mungesës së fuqisë punëtore.
“Baret dhe restorantet ishin të parët që u mbyllën në fillimin e pandemisë. Rënia e xhiros nga karantina dhe kufizimet e ekonomisë sigurisht që do të jepnin këto efekte. Me krizën që ka pllakosur dhe me rritjen e kostove të lëndëve të para dhe uljen e konsumit do të ketë mbyllje të tjera të këtyre strukturave.
Gjithashtu, sektori po përballet edhe me një tjetër krizë atë të mungesës së fuqisë punëtore. Shumë subjekte bare dhe restorante e kanë të vështirë të gjejnë punonjës të rinj. Edhe ata pak punonjës që kanë mbetur në vend kërkojnë pagesa të larta. Kjo gjendje do të vështirësojë edhe më tepër aktivitetin e këtyre strukturave. Mbylljet do të vazhdojnë edhe në 2022”, pohon z. Jahaj.
Rritja e kostove parashikohet të reflektohet nga këto subjekte te rritja e çmimeve të produkteve. Nga Shoqata e Bareve dhe Restoranteve më herët u pohua se pandryshueshmëria e çmimeve do të jetë e përkohshme, pasi dhe bizneset nuk do të kenë më mundësi të mbajnë koston e rritjes të çmimeve. Edhe kostoja e bizneseve informale është amortizuar nga bizneset që ushtrojnë aktivitet të rregullt.
Për vitin 2022, rënia e konsumit në këto sipërmarrje filloi të reflektohet që në muajt shkurt-mars kur pati rritje të çmimeve të produkteve të shportës, por edhe të lëndëve të para nga importi. Ndërsa rritja e çmimeve të ushqimeve rriti presionin për shtrenjtim të çmimeve në bare dhe restorante.
Konsumi pati zvogëlim edhe vitin e kaluar për shkak të pandemisë. Përfaqësuesit e Shoqatës të Bareve dhe Restoranteve nënvizuan më herët se Covid-19 për baret dhe restorantet për vitin 2021 krijoi një model të ri të sjelljes së klientit, pasi shumica prej tyre u mësuan të konsumojnë kafene dhe vaktin kryesor në zyra dhe shtëpi dhe për këtë arsye konsumi ra ndjeshëm.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al