Vendosni fjalën kyçe....

Pas hekurave për shkelje të barazisë në tendera, lirohen dy nga ish-vartësit e Thoma Gëllçit


Gjykata e Tiranës ka liruar nga qelia dy ish-vartësit e ish-kreut të RTSH-së, Thoma Gëllçit.

Bëhet fjalë për dy ish-anëtarët të komisionit të vlerësimit të ofertave, Ervin Muraj e Julian Tapia.

Sipas “Balkanweb”, vendimi është marrë nga gjyqtari Erjon Çela, pas kërkesës së dy ish-anëtarëve të komisionit të vlerësimit të ofertave për shuarje të masës së sigurisë, pasi u përfundoi dënimi me afatet e paraburgimit.

Ata u arrestuan për shkelje të barazisë në tendera në lidhje me një tender me vlerë 87 milionë lekë për ndërtimin e RTSH Agro.

Kujtojmë se në fillim të këtij muaji, Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit e ka dënuar me dy vite burg ish-drejtorin e RTSH-së, Thoma Gëllçi, dënim i cili për shkak të gjykimit të shkurtuar ulet dënimi në 1 vit e 4 muaj.

Tre të akuzuarit e tjerë, Julian Tapia, Ervin Muraj dhe Alban Malaveci, u dënuan me nga një vit burg. Dy të parët u liruan sot. Gjithashtu GJKKO i ka hequr Gëllçit të drejtën për të ushtruar funksione publike për 5 vite.