Ministria ruse e mbrojtjes thotë se ka “informacion të besueshëm” se luftëtarët ukrainas po i përdorin civilët si mburoja njerëzore brenda fabrikës kimike Azot në qytetin Severodonetsk që ndodhet në rajonin e Donbass-it.
Sipas ministrisë, trupat ukrainase “po mbajnë qindra banorë dhe punëtorë të qytetit brenda objekteve nëntokësore të uzinës”.
“Nacionalistët kanë manipuluar tanke që përmbajnë kimikate të rrezikshme (acid nitrik, amoniak dhe nitrat amoniumi) me eksploziv dhe planifikojnë t’i hedhin në erë gjatë tërheqjes.“- pretendon ministria ruse sipas RT-së.
Luftime të ashpra janë raportuar rreth qytetit Severodonetsk në javët e fundit ndërsa forcat ruse dhe ato të Donbass-it po përpiqen të marrin qytetin.
Sergey Gayday, zyrtari kryesor i emëruar nga Kievi në rajon, akuzoi Rusinë për sulmimin e fabrikës Azot të mërkurën në mbrëmje, duke dëmtuar objektin e saj të prodhimit të amoniumit. Gayday tha se bunkeri nëntokësor i uzinës nuk ishte dëmtuar.
Zyrtari ukrainas shtoi se “sipas pronarit të uzinës, të gjitha plehrat dhe kimikatet ishin hequr nga territori i uzinës në ditën e dytë të luftës”.
Ministria ruse e mbrojtjes pretendoi të enjten se Ukraina po mbante gjithashtu punëtorë brenda uzinës Konditsioner në qytetin e Kramatorsk. Fabrika prodhon kondicionerë dhe ngrohës uji. Moska tha se luftëtarët ukrainas kanë pozicionuar raketahedhës atje, si dhe eksplozivë brenda një tjetër fabrike kimike në qytetin Avdeyevka.
Ministria e Mbrojtjes raportoi më tej se, sipas informacionit të dhënë nga ushtarët e kapur ukrainas, “nacionalistët” po planifikonin të bombardonin termocentralin Zmiyovskaya në rajonin lindor të Kharkovit dhe më pas t’ia hidhnin fajin Moskës.