Vendosni fjalën kyçe....

Sali Berisha: Në Shqipëri është rivendosur sistemi monist, të gjitha pushtetet në dorën e një njeriu


Kryetari i PD-së dhe ish-kryeministri Sali Berisha ka dalë në konferencën e përjavshme ku ka deklaruar se në Shqipëri është vendosur sistemi monist.

Duke iu referuar zgjedhjes së presidentit të ri, Berisha theksoi se kryeministri Edi Rama mori edhe institucionin e fundit që kishte mbetur pa kontrollin e tij.

“Winston Churchill ka shkruar dikur se demokracia është forma më e keqe e qeverisjes, përveç çdo forme tjetër të saj.

Përveç çdo forme tjetër në radhë të parë vijnë regjimet moniste, regjime në të cilat një parti kap të gjitha pushtetet.

Regjime të cilat një ideologji shndërrohet në ideologji shtetërore, regjime të cilat një besim fetar shndërrohet në themelet e një shteti, në teokraci.

Jam këtu për të bërë një deklaratë në emër të PD-së. Në Shqipëri vendoset monizmi i plotë.

PD deklaron se pas zgjedhjeve të datës 6 qershor të vitit 2022 me votën vetëm të PS-së të presidentit të Republikës, Edi Rama vendosi nën pushtetin e tij edhe institucionin e fundit që kishte mbetur jashtë kontrollit të tij dhe në vend u rivendos sistemi monist i plotë dhe u varros sistemi demokratik i bazuar në ndarjen dhe balancën e pushteteve të garantuar në Kushtetutën e Shqipërisë.

Kështu sot në Shqipëri për herë të parë pas 31 viteve të gjitha pushtetet pa përjashtim janë në duart e një force politike dhe të një njeriu të vetëm. Kjo ndodh në çdo nivel të pushtetit ekzekutiv, legjislativ, gjyqësor, vendor apo dhe në çdo institucion apo agjenci shtetërore.

Një, sot si asnjë herë më parë, në pushtetin ekzekutiv, çdo ministër, zv.ministër, sekretar i Përgjithshëm, drejtor i përgjithshëm apo drejtor drejtorie është përfaqësues vetëm i një force politike, asaj të PS-së.

Dy, sot njëlloj si në të shkuarën moniste të Shqipërisë, të gjitha institucionet e larta shtetërore të konsideruara me Kushtetutë si të pavarura dhe autonome, si Presidenti, kreu i KLSH-së, drejtori i SHISH, drejtori i Shërbimit Informativ të Ushtrisë, Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurive, Komisioneri i të dhënave personale, drejtues të bordeve të Konkurencës, Energjisë, Telekomunikacionit, janë të votuar, emëruar dhe të zgjedhur vetëm nga PS.”- tha Berisha.