Shtetet e Bashkuara do heqin nga e diela një kërkesë 17-mujore që njerëzit që mbërrijnë në vend me rrugë ajrore të testojnë negativisht për Covid-19, tha një zyrtar, një veprim që pason lobimin e fortë nga linjat ajrore dhe industria e udhëtimeve.
Një njoftim zyrtar do bëhet më vonë të premten. Hapi vjen pasi sezoni i ngarkuar i udhëtimeve verore po fillon dhe transportuesit ajror tashmë po përgatiteshin për kërkesa rekord. Linjat ajrore kanë thënë se shumë amerikanë nuk po udhëtojnë ndërkombëtarisht për shkak të shqetësimeve se do rezultojnë pozitivë dhe do bllokohen jashtë vendit.
Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) ka përcaktuar se shkenca dhe të dhënat tregojnë se testet e Covid-it para nisjes nuk janë më të nevojshme, tha zyrtari, i cili nuk pranoi të emërohej.
Masa do hyjë në fuqi në orën 12:01 të së dielës dhe CDC do të rivlerësojë vendimin në 90 ditë, tha zyrtari.
Shtetet e Bashkuara u kanë kërkuar udhëtarëve ndërkombëtarë që vijnë të japin teste negative para nisjes që nga janari 2021. Në dhjetor CDC shtrëngoi rregullat duke u kërkuar udhëtarëve që të testojnë negativë brenda një dite përpara fluturimeve për në Shtetet e Bashkuara dhe jo tre ditëve.
Shumë vende në Evropë dhe gjetkë tashmë kanë hequr kërkesat e testimit. CDC ende kërkon që shumica e qytetarëve jo-amerikanë të vaksinohen kundër Covid për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara.