Kryeministri hungarez Viktor Orban ka renditur financierin miliarder George Soros në mesin e ‘nxitësve të luftës’ në Ukrainë.
Në një intervistë me radion Kossuth të premten, Orban tha se vetëm paqja do e frenonte inflacionin dhe do shpëtonte ekonominë nga goditjet e mëtejshme, por pranoi se Ukraina kishte ‘të drejtën të mbrohej’.
Ai tha gjithashtu se Hungaria ishte pothuajse i vetmi vend që dëshironte paqen. Në të vërtetë, Budapesti, ndryshe nga shumica e kryeqyteteve të tjera evropiane, ka kundërshtuar të dërgojë armë në Ukrainë.
“Ne duhet të financojmë paqen, jo luftën.” – shpjegoi Orban.
Megjithatë, ai theksoi se kishte njerëz që ishin të interesuar për të zgjatur konfliktin.
“Tashmë është e qartë se ka qarqe biznesi që janë të interesuara për këtë luftë. George Soros i simbolizon ato. Ai flet hapur për nevojën e zgjatjes së luftës. Këta janë nxitës të luftës që duan të fitojnë para nga lufta.” – tha kryeministri, duke shtuar se këta ‘nxitës’ duhet të mbajnë përgjegjësi.
Muajin e kaluar, duke folur në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Soros tha se ofensiva ushtarake ruse në Ukrainë ‘mund të jetë fillimi i Luftës së Tretë Botërore dhe qytetërimi ynë mund të mos i mbijetojë asaj’. Ai gjithashtu pohoi se ‘mënyra më e mirë dhe ndoshta e vetmja për të ruajtur qytetërimin tonë është të mposhtim Putinin sa më shpejt të jetë e mundur’.
Orban ka qenë prej kohësh një nga kritikët më të ashpër të Soros. Në vitin 2020, kryeministri hungarez e quajti miliarderin ‘njeriu më i korruptuar në botë’, ai që dyshohet se kishte ‘një listë të gjatë politikanësh, gazetarësh, gjykatësish, burokratësh dhe agjitatorësh politikë të maskuar si anëtarë të organizatave të shoqërisë civile’ në listën e tij të pagave.
Në vitin 2017, Orban dhe Soros shkëmbyen komente armiqësore. Orban ka akuzuar Sorosin se po përpiqet të shkatërrojë Hungarinë dhe Soros, nga ana tjetër, ka pohuar se qeveria e Orbanit ‘i shtyp njerëzit më shumë sesa gjatë pushtimit sovjetik’.