Vendosni fjalën kyçe....

Strehonte emigrantë të paligjshëm dhe i ndihmonte të kalonin kufirin, arrestohet pronari i një hoteli në aksin Tiranë-Durrës


Policia ka vënë në pranga pronarin e një hoteli në rrugën dytësore Tiranë-Durrës, i cili akuzohet se ndihmonte emigrantët e paligjshëm që të kalonin kufirin dhe i lejonte që të qëndronin në hotelin e tij.

60-vjeçari Sabah Jemishta, kishte strehuar në hotelin e tij 14 emigrantë të paligjshëm.

Nën hetim është vendosur dhe menaxheri i hotelit, shtetasi me iniciale V.H. 56 vjeç.

NJOFTIMI I POLICISË

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit Tiranë dhe Komisariatin e Policisë Vorë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e kalimit të paligjshëm të kufirit, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionet policore të koduara ‘Camouflage 9’ dhe ‘Camouflage 10’.

Në kuadër të operacionit policor të koduar ‘Camouflage 9’ u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:

– S. J., 60 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale ‘Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve’ dhe ‘Fshehja e të ardhurave’ (pronar i një hoteli në rrugën dytësore Tiranë-Durrës).

Gjithashtu u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi V. H., 56 vjeç, banues në Tiranë (menaxher në hotel).

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, strehonin emigrantë të paligjshëm në ambientet e hotelit të shtetasit S. J., kundrejt shpërblimit monetar, dhe më pas kryenin transportin e tyre për në pikat e kalimit kufitar me Malin e Zi, me qëllim kalimin në vendet e BE-së.