Vendosni fjalën kyçe....

Tremujori i parë, dërgesat e emigrantëve arrijnë nivelin më të lartë që nga viti 2008


Dërgesat e emigrantëve shfaqën sërish tendencë pozitive në tremujorin e parë të këtij viti.

Sipas shifrave të Bankës së Shqipërisë, remitancat kishin vlerën e 184 milionë eurove, në rritje me 8.9% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar. Kjo vlerë përfaqëson njëkohësisht nivelin më të lartë të shënuar për këtë periudhë të vitit, qysh prej vitit 2008.

Dërgesat e emigrantëve po ndjekin një cikël të ri rritjeje, që i detyrohet kryesisht valës së re të emigracionit të dekadës së fundit. Vitin e kaluar, këto dërgesa arritën vlerën e 761 milionë eurove, niveli më i lartë që prej vitit 2009.

Valët e para të emigracionit masiv shqiptar nisën pas rënies së regjimit komunist dhe numri i madh i shqiptarëve të larguar jashtë vendit u bë burim i rëndësishëm të ardhurash për familjarët e tyre në Shqipëri dhe për ekonominë shqiptare në tërësi.

Ky cikël duket se arriti pikun në dekadën e parë të mijëvjeçarit të ri, pasi emigrantët e larguar në vitet ’90 ndërtuan një jetë jashtë Shqipërisë dhe i zbehën gradualisht lidhjet me familjet e tyre në Shqipëri.

Por, sidomos pas vitit 2013, nisi një cikël i ri emigracioni, që po përfshin gjithnjë e më shumë të rinjtë e arsimuar, që po shfrytëzojnë nevojën për punë të specializuar në vende të ndryshme të BE-së, sidomos në Gjermani.

Sipas vlerësimeve të Instat, Shqipëria ka një diasporë prej afërsisht 1.7 milionë banorësh, nga të cilët pothuajse një milionë janë të shpërndarë në vende të ndryshme të Europës. 

Një anketim i Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Botërore ka treguar se rreth një e katërta e familjeve shqiptare marrin remitanca, ndërsa rreth 6% e familjeve nuk kanë burim tjetër të ardhurash veç tyre.

E thënë ndryshe, janë më shumë se 40 mijë familje shqiptare që mbijetojnë vetëm falë remitancave. Për rreth 60% të familjeve që marrin remitanca, të ardhurat nga remitancat janë më pak se 1200 euro në vit ose 100 euro në muaj.

Ndërkohë, familjet që marrin remitanca i shpenzojnë rreth 69% të të ardhurave mujore për ushqim. Duke kombinuar këto të dhëna, mund të arrijmë në përfundimin se për shumë familje remitancat janë burimi që sigurojnë mbijetesën.

Në nivel makroekonomik, remitancat janë një zë i rëndësishëm në ngushtimin e deficitit të llogarisë korrente të vendit, që përcaktohet kryesisht nga deficiti i madh tregtar në mallra. Vitin e kaluar, deficiti i llogarisë korrente të vendit arriti në rreth 1.2 miliardë euro.

Në mungesë të remitancave, ky deficit do të kishte arritur në kufijtë e dy miliardë Eurove ose rreth 58% më shumë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor