Ashtu si çdo vit, edhe këtë herë ka dalë nga ambientet e provimit teza provimit të Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe për Maturën.
Në rrjet qarkullojnë foto të tezës së provimit ndërkohë që maturantët zhvillojnë provimit në ambientet e caktuara në të gjithë vendin.
Dalja e tezës në publik ndërkohë që zhvillohet provimi është një ngjarje që ndodh vit për vit dhe institucionet e kanë gati të pamundur për të evituar këtë.
Futja e telefonave në ambientet e provimit nga maturantë që përpiqen të plotësojnë tezat me pyetje të zgjidhura nga jashtë është një ndër mënyrat që përdorin ata për të marrë rezultate sa më të mira.
33 mijë maturantë në të gjithë Shqipërinë janë duke iu nënshtruar provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë.
Edhe pse MAS ka ndërmarrë një plan masash për mbarëvajtjen e procesit, duke angazhuar rreth 7000 mësues në monitorimin e maturantëve nuk ka arritur të evitojë problematikën.
Rregullorja e Maturës Shtetërore, e publikuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit parashikon ndjekje penale për personat që arrijnë të publikojnë këto materiale të rëndësisë së veçantë.
“Për çdo person të tretë, i cili publikon materiale të një rëndësie të veçantë , deri në çastin e përfundimit të kohës së testimit, ndaj individit që i ka publikuar do të kërkohet ndjekje penale nga organet përkatëse nga Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar”, nënvizohet në rregullore.