Vendosni fjalën kyçe....

Gjermanët paralajmërohen për ‘vjeshtë të vështirë e dimër të ashpër, ministri: Të kursejmë energjinë


Gjermanët duhet të përgatiten për një vjeshtë dhe dimër të vështirë për shkak të rritjes së çmimeve, teksa vendi po përpiqet të fitojë pavarësi nga energjia ruse, paralajmëroi të premten zëvendëskancelari dhe ministri i Ekonomisë, Robert Habeck.

“Sa i përket mbështetjes së njerëzve që kanë nevojë, unë tregova qartë atë që na pret dhe ajo që tashmë është pjesërisht e vërtetë. Po përballemi me një vjeshtë shumë të vështirë dhe një dimër shumë të ashpër.” – tha ai, cituar nga RIA Novosti.

Habeck e bëri parashikimin teksa prezantoi një nismë të re për kursimin e energjisë të Ministrisë së Ekonomisë. Berlini po planifikon të zëvendësojë qymyrin dhe naftën ruse deri në fund të vitit dhe të ndalojë importin e gazit rus deri në vitin 2024 dhe po përpiqet të gjejë burime të tjera të energjisë.

Sipas zv.kancelarit, çmimet e energjisë janë tashmë jashtëzakonisht të larta dhe ‘shumë njerëz do marrin fatura dukshëm më të larta se zakonisht’ në sezonin e ardhshëm të ngrohjes.

“Për këtë arsye, kursimi i energjisë është urgjentisht i nevojshëm dhe unë e di se shumë tashmë po shohin se ku mund të kursejnë diçka.” – tha ai.

Nisma e re, ‘80 milionë së bashku për ndryshimin e energjisë’, synon të motivojë njerëzit të kursejnë energji.

Ai ofron shembuj në faqen e tij të internetit nga jeta e përditshme dhe rekomandime për kursimin e energjisë, duke përfshirë: shkrirjen e rregullt të ngrirësit, ngritjen e temperaturës së frigoriferit në 7 gradë Celsius, përdorimin e llambave LED në zyra, mënyrat për të ulur konsumin e ujit dhe ngrohjen në banjë dhe kuzhinë, etj.

“Kushdo që kursen energji e ndihmon Gjermaninë të bëhet më e pavarur nga importet ruse dhe gjithashtu e bën këtë për hir të klimës.” – tha Habeck.