Vendosni fjalën kyçe....

GJKKO rrëzon kërkesën e Enkelejda Hoxhës për lirimin nga burgu


Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) vendosi ditën e sotme (11 qershor) rrëzimin e kërkesës së ish-gjyqtares së Krujës, Enkelejda Hoxha për të përfituar lirinë.

Hoxha kërkoi lirimin duke pretenduar se duke llogaritur edhe ditët e paraburgimit ajo e ka kryer dënimin e saj.

 Komunikohet në mënyrë të përmbledhur se, sot më datë 11.06.2022, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, u shpall vendimi lidhur me çështjen nr. 113, datë 09.06.2022 regjistrimi, me objekt “ankim ndaj vendimit mbi konstatimin e shuarjes së masës së sigurimit personal “arrest në burg””, në ngarkim të të pandehurës E.H., ku trupi gjykues i përbërë nga kryesuese Miliana Muça, anëtare Saida Dollani dhe Igerta Hysi, vendosi:
1. Rrëzimin e kërkesës së kërkueses, të pandehurës E.H., me objekt “konstatimi i shuarjes së masës së sigurimit “arrest në burg” caktuar me vendimin nr. 14, datë 10.02.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Ish-gjyqtarja akuzohet për veprën penale, “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim.

Enkeleda Hoxha u arrestua me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) pasi dyshohet se me 9 persona kishin ngritur një skemë përmes të cilës ulnin dënimet dhe lironin nga burgu të dënuar për vepra të rënda penale.