Ish-presidentja e Bolivisë Jeanine Anez është dënuar me 10 vjet burg për marrjen e pushtetit në një ‘grusht shteti’ kundër paraardhësit të saj të krahut të majtë, Evo Morales, në vitin 2019.
Gjykata në La Paz e shpalli Anezin fajtor për marrjen e ‘vendimeve në kundërshtim me Kushtetutën’ dhe për ‘shpërdorim të detyrës’.
Ekipi i saj mbrojtës dhe mbështetësit argumentuan se gjyqi ishte i motivuar politikisht dhe se asaj i ishin mohuar të drejtat. Avokati i Anez, Luis Guillen, premtoi të apelojë vendimin dhe të kërkojë drejtësi në ‘organizatat ndërkombëtare’.
Ministri i Drejtësisë Ivan Lima hodhi poshtë akuzat e ndjekjes politike.
“Ne jemi një qeveri që respekton rregullat e procesit të rregullt dhe që shtrin sundimin demokratik për të gjithë aktorët politikë.” – tha ai në një koment për New York Times.
Si nënkryetare e Senatit, Anez u emërua presidente e përkohshme nga parlamenti në nëntor 2019 pasi Morales dha dorëheqjen dhe u largua nga Bolivia mes protestave për manipulimin e pretenduar të zgjedhjeve. Ligjvënësit nga partia Lëvizja për Socializëm (MAS) e Morales bojkotuan seancën.
Morales, i cili qeverisi Bolivinë për gati 14 vjet, pretendoi se kishte një grusht shteti kundër qeverisë së tij. MAS u rikthye në pushtet në tetor 2020, duke fituar zgjedhjet e përgjithshme. Presidenti i tanishëm i Bolivisë, Luis Arce, është një anëtar i MAS.
Anez u arrestua në mars 2021. Gjatë gjyqit, ajo argumentoi se kishte ‘ndjekur çdo hap’ të Kushtetutës kur mori pushtetin në vitin 2019.
“Ndihem shumë krenare dhe do ta kisha bërë përsëri nëse do të kisha mundësi.” – tha ajo.
Politikania hyri në një grevë urie dyjavore ndërsa ishte në paraburgim dhe u shtrua për pak kohë në spital disa herë për shkak të shqetësimeve shëndetësore. Në shkurt, ajo u përpoq të vriste veten për shkak të ‘depresionit të rëndë’, sipas vajzës së Anez, Carolina Ribera.
Të premten, gjykata dënoi gjithashtu ish-Gjeneralin e policisë Yuri Calderon dhe ish-shefin ushtarak Williams Kaliman Romero me 10 vjet burg në lidhje me ngjarjet e vitit 2019. Të dy janë të arratisur.