Vendosni fjalën kyçe....

Shkalla e papunësisë ra më tej në 11.3% për tremujorin e parë të vitit


Shkalla e papunësisë në ekonominë shqiptare pësoi një tjetër rënie të lehtë në tremujorin e parë të këtij viti.

Të dhënat e INSTAT treguan se shkalla zyrtare e papunësisë zbriti në 11.3%, nga 11.4% që kishte qenë në tremujorin e mëparshëm dhe 11.9% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Treguesi i papunësisë tashmë është shumë pranë nivelit 11.2% që regjistrohej para pandemisë (në tremujorin IV 2019).

Gjatë tremujorit të parë, treguesi i papunësisë ishte i pandryshuar për burrat (11%), por shënoi një përmirësim të lehtë për gratë (zbriti në 11.7% nga 11.8% që kishte qenë në tremujorin e mëparshëm).

Sipas grupmoshave, papunësia pësoi rënie për kontigjentin më të konsoliduar në tregun e punës, atë midis 30-64 vjeç. Shkalla e papunësisë në këtë segment ra më tej në 8.8%, nga 8.9% që kishte qenë një tremujor më parë. Ndërkohë, shkalla e papunësisë u rrit lehtë për grupmoshën 15-29 vjeç dhe arriti në 20.7% (nga 20.6% një tremujor më parë).

Papunësia e të rinjve vazhdon të jetë pothuajse dy herë më e lartë krahasuar me mesataren e ekonomisë, megjithëse ky tregues është përmirësuar disi në pesë vitet e fundit.

Ulja e shkallës së papunësisë në ekonomi ka reflektuar në një masë të madhe rritjen e shkallës së punësimit. Shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç u rrit në 63.5%, nga 62.1% që kishte qenë një tremujor më parë dhe 59% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Shkalla e punësimit është rritur si për grupmoshën 15-29 vjeç, ashtu edhe për atë nga 30-64 vjeç, çka tregon se tendenca e përgjithshme e punësimit ecuria e punësimit ka qenë pozitive.

Por, fakti që ulja e papunësisë ka qenë më e vogël se rritja e punësimit duket se lidhet kryesisht me një rritje të shkallës së pjesëmarrjes në forcat e punës.

Ky tregues për tremujorin e parë arriti në 79.8%, në rritje të ndjeshme me 2.2 pikë përqindje krahasuar me tremujorin e fundit të vitit të kaluar. Shkalla e pjesëmarrjes në forcën e punës është raporti i forcës së punës (të punësuar plus të papunë punëkërkues) kundrejt popullsisë në moshë pune.

Në teori, rritja e shkallës së pjesëmarrjes në forcën e punës mund të lidhet me pakësimin e popullsisë ekonomikisht jo-aktive, si për shembull të segmentit të studentëve apo të papunëve të dekurajuar. Në fakt, sipas INSTAT, pesha e të papunëve të dekurajuar ndaj popullsisë ekonomikisht jo-aktive ra në 10.7% në tremujorin I 2022, nga 11.7% që kishte qenë në tremujorin e mëparshëm.

Por, nga ana tjetër, rritja e shkallës së pjesëmarrjes në forcat e punës mund të shkaktohet edhe nga një tkurrje e emëruesit (popullsisë së moshë pune), sidomos për shkak të plakjes graduale të popullsisë.

Sipas sektorëve, duket se ndikimin kryesor në rritjen e punësimit gjatë tremujorit të dytë e ka dhënë industria, me 8% më shumë krahasuar me një vit më pare dhe 1.5% më shumë krahasuar me fundin e vitit të kaluar. Ndërkohë, punësimi në shërbime dhe bujqësi ka vijuar të rritet me bazë vjetore, por paraqitet në stanjacion krahasuar me fundin e vitit të kaluar.

Vitin e kaluar, treguesit e papunësisë dhe punësimit shënuan një përmirësim gradual, duke reflektuar rimëkëmbjen e shpejtë të ekonomisë dhe të tregut të punës nga pasojat e pandemisë. Kjo tendencë duket se ka vijuar edhe gjatë tremujorit I 2022, pavarësisht rritjes së inflacionit, që po shkakton presione në rritje mbi kostot e biznesit.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor