Vendosni fjalën kyçe....

Turqia do vendosë kuota për emigrantët


Qeveria turke do kufizojë popullsinë e huaj të lagjeve të caktuara në 20% që nga korriku, duke mbyllur në mënyrë efektive 1200 prej këtyre lagjeve për emigrimin e mëtejshëm, njoftoi të shtunën Ministri i Brendshëm Suleyman Soylu. Me rritjen e presioneve ekonomike dhe Turqisë që tashmë pret miliona sirianë, Soylu tha se siguria kufitare dhe dëbimet do rriteshin.

Soylu tha në një takim të Drejtorisë së Menaxhimit të Migracionit të Turqisë se në bazë të politikës së tanishme të qeverisë së tij për kufizimin e popullsisë së lindur nga jashtë të lagjeve të caktuara në 25%, rreth 781 lagje në 54 provinca janë mbyllur për të huajt.

Nga korriku, Soylu tha se kjo kuotë do ulet në 21%, duke mbyllur gjithsej 1200 lagje për të ardhurit e rinj, ‘për të parandaluar përqendrimin e të huajve në rajone të caktuara në vendin tonë’.

Përveç kësaj, të huajve që kërkojnë të hyjnë në Turqi për të marrë arsim ose trajtim mjekësor nuk u jepet më leje qëndrimi. Leje të tilla do t’u jepen vetëm të huajve që mund të marrin me qira banesë mbi një vlerë të caktuar, tha Soylu.

Turqia është përballur me emigracionin në rritje që nga shpërthimi i Luftës Civile Siriane në vitin 2011 dhe aktualisht është shtëpia e rreth 3.7 milionë sirianëve, shumë prej të cilëve tani po konkurrojnë me turqit vendas për punësim. Me inflacionin në Turqi aktualisht në nivelin më të lartë të dy dekadave, Soylu pranoi se shumë turq mendojnë se vendi i tyre po ‘pushtohet’.

Ministri pohoi se po të mos kishte ndërtuar Turqia mure përgjatë kufirit të saj me Sirinë, tetë milionë emigrantë të tjerë do kishin hyrë në vend. Ai tha se 110,000 emigrantë të paligjshëm janë kapur nga autoritetet turke këtë vit, dhe një total prej 25,000 do të kthehen në vendet e tyre të origjinës. Për më tepër, refugjatët që vijnë nga zonat e Sirisë që konsiderohen të sigurta do të dërgohen në kampe, do të përpunohen dhe do të kthehen.

Po ndërtohen më shumë mure kufitare dhe po instalohen kamera sigurie dhe sensorë, tha Soylu.

Në maj, presidenti turk Erdogan njoftoi planet për të ‘mundësuar kthimin vullnetar’ të një milion refugjatëve sirianë në territorin e pushtuar nga Turqia në Sirinë veriore. Plani, i cili ka ekzistuar në forma të ndryshme për disa vite dhe në një moment u mbështet nga qeveria gjermane, është hedhur poshtë nga Siria si një përpjekje për ‘kolonializëm’ nga Ankaraja.