Vendosni fjalën kyçe....

Alibeaj për arrestimin e Kajmakut: E mbani mend kur Rama thoshte “Gimi është si puna ime”, jam kurioz çfarë do thotë tani


Enkelejd Alibeaj ka reaguar në lidhje me arrestimin e ish- kryetarit të bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku.

Në një postim në “Facebook”, Alibeaj kujton se në kohën kur PD e denoncoi Kajmakun, kryeministri Edi Rama e mbrojti atë madje sipas tij ia fshehu drejtësisë aq sa mundi.

“E mbani mend kur Edi Rama thoshte ‘Gimi është si puna ime?’ E kishte fjalën për Agim Kajmakun, ish-kryetar i bashkisë Vorë, sot i arrestuar në Itali për trafik droge.

Kur PD e denoncoi me fakte aktivitetin kriminal të Kajmakut në Greqi, Rama e mbrojti, e justifikoi dhe e ia fshehu drejtësisë sa mundi. Nuk hoqi dorë asnjëherë prej sojit si ai, madje atë e përfshiu së fundmi edhe në zgjedhjet e 6 marsit në Vorë!”- shkruan Alibeaj.

Deputeti demokrat thotë se është kurioz të dëgjojë se çfarë do thotë sot kryeministri, ndërsa e konsideron rastin si provën më të qartë se Rama erdhi në pushtet me ndihmën e krimit.

REAGIMI I PLOTË I ALIBEAJT

E mbani mend kur Edi Rama thoshte “Gimi është si puna ime”? E kishte fjalën për Agim Kajmakun, ish-kryetar i bashkisë Vorë, sot i arrestuar në Itali për trafik droge.

Kur PD e denoncoi me fakte aktivitetin kriminal të Kajmakut në Greqi, Rama e mbrojti, e justifikoi dhe e ia fshehu drejtësisë sa mundi. Nuk hoqi dorë asnjëherë prej sojit si ai, madje atë e përfshiu së fundmi edhe në zgjedhjet e 6 marsit në Vorë!

Kurioz jam të dëgjoj se çfarë do thotë sot shefi i Rilindjes, për një trafikant droge që e bëri kryetar bashkie, siç bëri shumë të tjerë, deputetë e drejtues të lartë të pushtetit të tij. Nuk pres as të skuqet e as të zverdhet, sepse është i nxirë faqje të gjithëve nga raportet e DASH dhe ODHIR!

Me shumë gjasë sot, Edi Rama i zënë prapë mat, do zgjedhë kodin mafioz të heshtjes!

Denoncimet e PD në të gjitha rastet për të inkriminuarit e tij janë vërtetuar dhe është provuar se pushteti i tij, është pushtet i marrë me kriminelë e trafikantë droge dhe me votat e non gratave të tij.

Agim Kajmaku është prova më e qartë për këtë. Edi Rama erdhi në pushtet me ndihmën e krimit që blenë e mblodhën vota për Rilindjen, dhe vazhdon të qëndrojë në pushtet me votat e krimit e të non gratave.