Gjykata e Posaçme e Apelit ka liruar nga qelia ish-gjyqtaren e Krujës, Enkeleda Hoxha si dhe ish-sekretaren e gjykatës, Manuela Mallkuçi.
Vetëm një ditë më parë gjykata e refuzoi lirimin, sepse nuk ishte plotësuar afati për shuarjen e masës së sigurisë.
Ish-gjyqtarja Enkeleda Hoxha akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Ajo u arrestua nga SPAK pas një superoperacioni të bërë në Gjykatën e Krujës, kur po lironte një tjetër të dënuar. Hoxha u shkarkua nga detyra më 17 Mars dhe u la në burg.
Gjyqtarja akuzohet se kishte firmosur uljen e dënimit të shtetasit Saimir Petani i dënuar me 25 vite burg për vrasje të kryer në 1995 në Lushnjë dhe më pas i dënuar me 9 vite burg në Milano në 2003 dhe i ekstraduar në Shqipëri, ku vuante dënimin në burgun e Fushë-Krujës. Për uljen e dënimit, Hoxha akuzohet se ka marrë një shumë parash bashkë me avokatin Aldo Tabaku. Ky i fundit rezulton pothuajse në të gjitha vendimet e dhëna nga gjyqtarja Hoxha.
Emri i gjyqtares lidhet me lirimin e shumë të dënuarve me burg përjetë, mes tyre edhe Endrit Dokle, Genc Tafilit, apo Hekuran Billa.