Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar ndaj “batutës” së Kryeministrit Rama në samitin e vendeve të Europës Juglindore në Selanik e cila ka shkaktuar një debat në Shkup mes opozitës dhe qeverisë.
Berisha thotë se Rama vijon të sillet si “karagjoz i rrjedhur” në samitë.
Sipas tij deklarata e tij ka shkaktuar një përplasje serioze në Shkup dhe u bë lajm negativ.
“Të dashur miq, pas skandaleve protokollare në takimet e nivelit më të lartë, paraqitjes së tij me atlete, çitjane etj, për të cilat përjashtohej nga fotot familjare të samiteve siç ndodhi në Mal të Zi në samitin rajonal me zëvendës presidentin e SHBA, Pence apo spotet tallëse ndaj tij nga rrjetet televizive me të mëdha të botës si BBC, Edi Rama vazhdon të sillet në këto samite si karagjoz i rrjedhur dhe pakorrigjueshëm.
Kështu ai si një hokatar i dalë boje në samitin e fundit të Europës Juglindore në momentin kur kancelari Scholz i jep dorën kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Rama ndërhyn dhe sikur të ishte Tak Ngjela i paraqet Kancelarit kryeministrin Kovaçevski duke shtuar: nga Bullgaria perëndimore. Kjo deklaratë pa mend e një njeriu që është bërë gaz i takimeve ndërkombëtare ka krijuar përplasje serioze në Shkup midis qeverisë dhe opozitës dhe u bë një lajm negativ për samitin e udhëheqësve të vendeve të Europës Juglindore që u mbajt në Selanik.
Duke dënuar këtë sjellje të denjë për tipa karagjoz e të lajthitur, garantoj shqiptarët se Partia Demokratike do ti rikthejë përfaqësimit të tyre dinjitetin e munguar këto vite që ata meritojnë”-shkruan Berisha.