Vendosni fjalën kyçe....

Batuta e tij shkaktoi përplasje politike në Shkup, Rama: Për të qeshur dhe për të qarë histeria e disave


Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video në “Twitter” ku shfaqet me kryeministrin maqedonas Dimitar Kovaçevski dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz.

Rama i ka dalë në mbrojtje homologut të tij maqedonas, Dimitar Kovaçevski, pas sulmeve dhe komenteve për shtrëngimin e duarve dhe batutave me Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, ku opozita në Maqedoninë e Veriut kërkoi edhe dorëheqjen e Kovaçevskit.

Rama shprehet se është për të qeshur dhe qarë histeria e disa personave në Shkup.

Ai pretendon se ironizoi “bllokadën e shëmtuar” ndaj Maqedonisë së Veriut nga ana e Bullgarisë, kur e prezantoi Kovaçevski si kryeministër të Bullgarisë së ardhshme Perëndimore.

“Për të qeshur dhe qarë histeria e disave në Shkup ndaj kryeministrit Kovaçevski, pas publikimit të videos së duarshtrëngimeve me Kancelarin Scholz në Selanik, ku ironizova bllokadën e shëmtuar ndaj Maqedonisë së Veriut nga ana e Bullgarisë! Sherr mejhaneje mes tymit të qofteve.”– shkruan Rama krahas videos.

Pas takimit të kryeministrit maqedonas me Kancelarin Scholz, ku i pranishëm ishte edhe Rama, pati reagime të forta për shkak të batutës së kryeministrit Shqiptar, i cili e prezantoi Kovaçevskin si kryeministër “të Bullgarisë së ardhshme Perëndimore”.

Në një konferencë për mediat nënkryetari i VMRO-DPMNE-së Vllado Misajlovski tha: “Nëse me Zaev Maqedonia arriti fundin, tani me Kovaçevskin e theu. Publiku maqedonas dëshmoi dje një faj të paparë ndërkombëtar. Dje pamë se si Dimitar Kovaçevski e ka tejkaluar Zoran Zaevin në çdo mënyrë duke shkelur dinjitetin dhe dinjitetin e vendit përmes turpit në skenën publike ndërkombëtare.”

Misajlovski pyeti se çfarë kishte për të qeshur me atë batutë të kryeministrit shqiptar. Sipas tij Maqedonia u turpërua dhe u ofendua në një takim ndërkombëtar.

“Jo vetëm poshtëruese fjalët me të cilat Maqedonia u turpërua dhe u ofendua në një takim ndërkombëtar para liderëve ballkanikë dhe kancelarit gjerman, por edhe më shumë që Kovaçevski e ndoqi të gjitha me të qeshura dhe miratim të papërshtatshëm. Dje kur u prezantua si kryeministër i Bullgarisë së ardhshme perëndimore, Kovaçevski po të kishte një gram dinjitet do të reagonte në mbrojtje të vendit të tij, të cilin e përfaqëson dhe për të cilin merr rrogë nga qytetarët dhe jo. pa të qeshur të qesh e të gëzohet. Çfarë ka për të qeshur dhe për t’u gëzuar zoti Kovaçevski?”– tha politikani maqedonas.