Kryetari i PD-së Sali Berisha ka përkujtuar sot përmes një mesazhi në rrjetet sociale, 23-vjetorin e hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë.
Ai thotë se kjo është një ditë e shënuar historike për Kosovën dhe kombin shqiptarë dhe një ditë mirënjohjeje.
“23-vjetori i hyrjes së NATO-s në Kosovë!
Të dashur miq, si sot 23 vjet më parë, pas tre muajsh bombardimesh të infrastrukturës ushtarake të Beogradit nga fuqitë ajrore të NATO-s, trupat toksore të Aleancës hynë si çlirimtare në Kosovë.
Kjo është një ditë e shënuar historike për Kosovën, kombin shqiptar dhe NATO-n.
Kjo është një ditë mirënjohjeje të pakufijshme për të gjithë ata që luftuan dhe dhanë jetën për lirinë e Kosovës, për Aleancën e Atlantikut të Veriut, ushtritë dhe vendet anëtare të saj, në veçanti për SHBA-të dhe presidentin Bill Klinton që udhëhoqën betejën e NATO-s për çlirimin e Kosovës. Rroftë Kosova, rroftë NATO!”- shkruan Berisha.
Si sot para 23-vitesh, trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas fushatës ajrore të Aleancës së Veri-Atlantikut kundër caqeve serbe në Kosovë dhe Serbi, që zgjati 78 ditë.