Policia e Tiranës ka arrestuar sot një 44 vjeçar i cili akuzohet për ushtrim të paligjshëm të basteve sportive.
Specialistët e Komisariatit numër 3 në kryeqytet e kanë kapur në flagrancë 44 vjeçarin, duke i sekuestruar edhe aparatin celular që shërbente për këtë veprimtari.
Ai dyshohet se e ushtronte aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit në një lokal, në rrugën “Haxhi Hysen Dalliu”.
NJOFTIMI I POLICISË
Vijon operacioni policor i koduar “Fati i lojërave”. Goditet nga Komisariati i Policisë Nr. 3, një tjetër rast i organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit. Arrestohet në flagrancë shtetasi që e ushtronte këtë veprimtari.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive të kundërligjshme në fushën e lojërave të fatit, kanë evidentuar dhe goditur një rast tjetër të ushtrimit të kësaj veprimtarie, nëpërmjet basteve sportive.
Në përfundim të veprimeve hetimore u arrestua në flagrancë shtetasi:-D. D., 44 vjeç, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”. Gjatë kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë, ky shtetas u kap në flagrancë duke ushtruar aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit, nëpërmjet basteve sportive, në një lokal, në rrugën “Haxhi Hysen Dalliu”.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua aparati celular që dyshohet se përdorej për vendosjen e basteve sportive. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.