Kryeministri Edi Rama dhe presidenti i komitetit olimpik ndërkombëtar Thomas Bach kanë inauguruar sot në Tiranë ambientet e reja të komitetit olimpik në Shqipëri.
Gjatë fjalës së tij, Bach tha se është i lumtur të shohë progresin që po bën sporti në Shqipëri.
“Është një kënaqësi e madhe të jem këtu në Shqipëri për Komitetin Olimpik Kombëtar dhe me atletër shqiptarë.
Jemi shumë të emocionuar të shikojmë progresin që po bën sporti në Shqipëri në krahasim me të shkuarën. Jemi besimplotë se shqiptarët mund të kenë përpara një të ardhme të ndritur.
Shumë respekt për përgjegjësinë mes qeverisë dhe kryeministrit. Kjo është ajo që i thashë kryeministrit në një takim që patëm sot në mëngjes. Jam i lumtur të jem këtu dhe të shoh sportin në Shqipëri të ecë në këtë mënyrë.”– tha Bach.
Rama nga ana tjetër e konsideroi vizitën e Bach një vizitë të jashtëzakonshme.
Ai po ashtu përmendi disa nga projektet në fushën e sportit për të rinjtë ndërsa theksoi se do largojnë fëmijët nga kompjuterët.
“Është privilegj për ne që sot kemi të pranishëm presidentin e komitetit olimpik ndërkombëtar. Nuk ka nevojë të bëjmë prezantime. Është një vizitë e një rëndësie të jashtëzakonshme. Na vjen mirë që sot ndamë me presidentin disa rezultate të para të procesit të rithemelimit të lëvizjes olimpike në shkolla. Do vazhdojmë të hedhim hapa të tjerë që në të gjitha shkollat e vendit të kemi skuadra dhe të kemi kampionate sportive në shkolla.
Edhe të kemi nga kjo lëvizje sportistë që të ngjiten në shkallë të tjera dhe të shkojnë deri në olimpiadë. E rëndësishme është ta kemi këtë lëvizje sportive për t’i dhënë fëmijëve mundësinë të shkëputen nga bota e kompjuterëve. Jetë pa sportin dhe një fëmijëri pa sportin është fëmijëri e cenuar. Na vjen mirë që presidenti dhe skuadra e tij e çmuam sa kemi bërë por u ndjenë të përfshirë në këtë projekt dhe do na mbështesin me dijen e madhe që ka komiteti olimpik.”– deklaroi Rama.