Vendosni fjalën kyçe....

Policia e Shtetit bën bilancin: Gjatë kësaj jave arrestuam 135 persona, dy megaoperacione (VIDEO)


 

Policia e Shtetit ka bërë bilancin e një jave të gjithë aksioneve policore që çuan në parandalimin e rasteve të ndryshme kriminale.

Dy operacionet më të rëndësishme janë “Syri i Sheganit” në Shkodër si dhe “Illegal assets”.

“Si rezultat i angazhimit dhe profesionalizmit maksimal të strukturave të Policisë së Shtetit, në një javë, u finalizuan me sukses 2 megaoperacione policore:

’Syri i Sheganit’ në Shkodër, si rezultat i të cilit u zbardh grabitja me armë e një filiali banke, në Koplik, Malësi të Madhe, si dhe u zbulua një banesë e përshtatur për kultivim të bimëve narkotike, me anë të llambave. U vunë në pranga 9 shtetas dhe u sekuestruan 31 kg kanabis dhe 1 armë zjarri;

’Illegal assets’ në Elbasan, për sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, si rezultat i të cilit u sekuestruan pasuri të ndryshme, me vlerë rreth 5 milionë euro.”– bën me dije policia.

Ndërkohë, mes të tjerash bëhet me dije se lufta ndaj kultivimit të bimëve narkotike ka çuar në sekuestrimin e 32 kg kanabis si dhe në evidentimin e ambienteve të ndryshme që përdoreshin për mbjelljen e bimëve narkotike si dhe janë proceduar dhe arrestuar 475 persona për vepra të ndryshme kriminale.

Ndërsa sa i përket mosrespektimit të rregullave të qarkullimit rrugore, Policia ka pezulluar 556 leje drejtimi, dhe ka arrestuar 78 drejtues mjetesh.

NJOFTIMI I POLICISË

Angazhim, përkushtim, vendosmëri dhe profesionalizëm nga të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit, për të parandaluar dhe luftuar krimin. Dhjetëra operacione, qindra të arrestuar dhe të proceduar. Lëndë narkotike, armë dhe asete të paligjshme, të sekuestruara.

Si rezultat i angazhimit dhe profesionalizmit maksimal të strukturave të Policisë së Shtetit, në një javë, u finalizuan me sukses 2 megaoperacione policore:

  • ”Syri i Sheganit” në Shkodër, si rezultat i të cilit u zbardh grabitja me armë e një filiali banke, në Koplik, Malësi të Madhe, si dhe u zbulua një banesë e përshtatur për kultivim të bimëve narkotike, me anë të llambave. U vunë në pranga 9 shtetas dhe u sekuestruan 31 kg kanabis dhe 1 armë zjarri;
  • “Illegal assets” në Elbasan, për sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, si rezultat i të cilit u sekuestruan pasuri të ndryshme, me vlerë rreth 5 milionë euro.

Sigurimi i rendit dhe qetësisë, gjatë dhe pas ndeshjes ndërkombëtare të futbollit Shqipëri-Izrael, një sfidë tjetër e fituar me sukses, në interes të imazhit të vendit, falë angazhimit dhe eksperiencës së strukturave të Policisë së Shtetit, në këtë drejtim.

  • Gjatë kësaj jave janë arrestuar, proceduar dhe shpallur në kërkim 475 persona, nga këta: 135 janë arrestuar, 305 janë proceduar penalisht dhe 35 janë shpallur në kërkim.
  • Janë kapur në total 43 persona në kërkim, 33 prej tyre në kërkim kombëtar dhe 10 në kërkim ndërkombëtar.
  • Janë zhvilluar 25 operacione policore të koduara: “Syri i Sheganit”, “Illegal Assets”, “Sunday”, “Last move”, “Permission”, “Prato”, “Aosta”, “Black bag”, “Camouflage 9”, “Camouflage 10”, “Target”, “Multifunksional”, “Fati i lojërave”, “Plirëz”, “Flames”, “Ecstasy 22”, “Road Guard” në 2 raste, “Blinisht”, “Blinisht 2”, “Avalon”, “River”, “Poçemi 2” dhe “Perimetri” në 2 raste.
  • Prej këtyre, 2 operacione për goditjen e armëmbajtjes pa leje; 7 në fushën e kultivimit, prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike; 7 në fushën e dhënies ndihmë emigrantëve të paligjshëm, për të kaluar kufirin; 4 për kapjen e personave në kërkim; 2 për zbulimin e ngjarjeve të ndodhura më parë; 1 për organizimin e kundërligjshëm të lojërave të fatit; 1 për sekuestrimin e pasurive të paligjshme që rrjedhin nga veprimtaritë kriminale, si dhe 2 për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e gjenerimit të kundërligjshëm të monedhave virtuale.
  • Si rezultat i kontrolleve masive të territorit janë evidentuar dhe shkatërruar 3 ambiente, të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike, 2 ambiente në Lezhë, në kuadër të operacioneve “Blinisht” dhe “Blinisht 2”, si dhe 1 ambient në Fushë Krujë. U sekuestruan sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, bimë të dyshuara narkotike kanabis, në proces tharjeje, qindra fidanë dhe dhjetëra fara të dyshuara narkotike kanabis, si dhe pajisje që shërbenin për kultivimin dhe përpunimin e lëndëve narkotike.
  • Gjithashtu, është evidentuar dhe goditur në Durrës, 1 rast i përshtatjes së lokalit për gjenerim të kundërligjshëm të monedhave vituale, ku janë sekuestruar 18 pajisje që shërbenin për këtë qëllim.
  • Në vijim, si rezultat i operacioneve dhe goditjeve nga DVP në qarqe, janë sekuestruar rreth 32 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, dhjetëra doza kokaine, marijuane, si dhe lëndësh të ndryshme narkotike, sasi kafeje e dyshuar e kontrabanduar, fitila zjarrpërcjellës, 2 radio si ato të Policisë, 14 automjete, 8 celularë, si dhe shuma parash e asete të tjera që dyshohet se janë përfituar nga veprimtaria kriminale.
  • Në fushën e armëmbajtjes pa leje, janë evidentuar dhe goditur 7 raste dhe janë sekuestruar 6 armë zjarri, 1 armë sportive, 2 thika, si dhe municion luftarak.
  • Janë goditur 6 raste të kundërshtimit të punonjësve të Policisë, si dhe janë ndjekur ligjërisht 41 raste të dhunës në familje.
  • Janë evidentuar dhe goditur 30 raste të krimeve mjedisore, 1 rast i zjarrvënies, 1 rast i organizimit të lojërave të fatit dhe 4 raste të vjedhjes së energjisë elektrike.
  • Në fushën e narkotikëve janë evidentuar dhe goditur 44 raste, ndërsa në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar dhe goditur 17 raste.
  • Ndërhyrja në kohë e strukturave të Policisë ka parandaluar 2 ngjarje kriminale, në Tiranë dhe Elbasan, në fushën e krimeve kundër personit.

Policia Rrugore/Vijon monitorimi intensiv në të gjitha akset rrugore, duke përdorur makinën inteligjente “Poliscan”, lexuesin automatik të targave, radarët automatikë të vendosur në flotën e automjeteve të reja, kamerat dhe mjetet e tjera të pauniformuara, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.

  • Nga data 1 deri në datën 6 qershor, shërbimet e Policisë Rrugore të qarkut Lezhë dhe të strukturave të tjera të Policisë kanë qenë të angazhuara për mbarëvajtjen e UNUM Festival 2022, i cili u zhvillua në Shëngjin dhe u mbyll pa asnjë problem.
  • Policia Rrugore e qarkut Durrës, në bashkëpunim me strukturat e tjera të Policisë, mori masa për garantimin e rrugëkalimeve të sigurta për pjesëmarrësit në aktivitetin sportiv me motorat Harley dhe makinat Rally, që zhvillua në qytetin e Durrësit, më datë 5 qershor, aktivitet i cili u mbyll pa asnjë problem.
  • Gjatë kësaj jave janë pezulluar 556 leje drejtimi, nga të cilat: 409 për shpejtësi mbi normat e lejuara, 108 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 39 për qarkullim në sens të kundërt.
  • Janë arrestuar 78 drejtues mjetesh, nga këta: 27 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 51 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
  • Janë vënë në pranga nga Policia Rrugore e Tiranës, 3 shtetas që drejtonin automjetin, nën efektin e lëndëve narkotike, si dhe janë goditur 2 raste të tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë Rrugore.
  • Janë vendosur 15.316 masa administrative, për shkeljet që janë rrezik për përfshirje në ngjarje rrugore.

Policia Kufitare/Vijojnë masat e shtuara për përballimin me sukses të fluksit në pikat e kalimit kufitar, në kuadër të sezonit turistik. Kontrolle intensive të mjeteve lundruese dhe argëtuese që përdoren gjatë sezonit turistik. Kontrolle të shtuara edhe në kufirin e gjelbër dhe në atë blu, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë dhe trafiqeve të paligjshme.

  • Gjatë kësaj jave janë kapur 13 shtetas në kërkim, nga të cilët 9 në kërkim kombëtar dhe 4 në kërkim ndërkombëtar.
  • Janë proceduar penalisht 6 shtetas, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit”; 7 shtetas, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, 5 shtetas, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, si dhe 2 shtetas, për “Mbajtja pa leje e armëve, armëve të ftohta dhe municionit luftarak”.
  • Gjithashtu, janë goditur 3 raste të mitëdhënies dhe janë proceduar penalisht 3 shtetas, të cilët, për shkak të mangësive në dokumentacion, kanë tentuar të korruptojnë punonjësit e Policisë Kufitare.

Policia e Shtetit është e angazhuar dhe e vendosur për të luftuar krimin e organizuar dhe krimin në përgjithësi, si dhe për të garantuar rendin e sigurinë në të gjithë vendin dhe sigurinë rrugore gjatë sezonit turistik veror.

Policia e Shtetit garanton qytetarët se është në shërbim të tyre dhe në zbatim të ligjit, si dhe i fton sërish ata për të denoncuar në numrin pa pagesë 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast të paligjshmërisë.