Kreu i PD-së Sali Berisha ka kërkuar anulimin e vendimit për hartën e re gjyqësore.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se vendimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhunon direkt interesat e publikut dhe të grupeve të interesit që lidhen me sistemin e drejtësisë.
“Vendimi i KLGJ-së jo vetëm dhunon interesat direkt të publikut por edhe të grupeve të interesit që lidhen me sistemin e drejtësisë dhe publikun.
Harta e gjyqësorit bie në kundërshtim me rezolutën e parlamentit Europian, pasi thotë se harta e gjyqësorit duhet të përmirësojë cilësinë në gjykata. Harta e re hedh poshtë kërkesat e rezolutës së parlamentit Europian. Këto grupe kanë kundërshtuar në mënyrën më të prerë këtë hartë, në të gjitha rastet e pakta kur janë pyetur. Harta me shkrirjen e 18 gjykatave dëmton rëndë grupet vulnerabël. Jo vetëm që nuk lehtëson por rrit kostot e aksesit në sistemin e drejtësisë. Ajo ndëshkon rëndë pakicat, dhe të gjithë ata qytetarë shqiptarë që jetojnë me ndihmë ekonomike.
Pra PD dënon këtë projekt dhe kërkon anulimin e tij të menjëhershëm, pasi ky projekt ndëshkon dhjetëra mirë qytetarë dhe qindra ekspertë dhe përqendron vendimmarrjen e sistemit të drejtësisë të kryesor në dyert e dy tre personave.”- tha Berisha.