Vendosni fjalën kyçe....

Demokratë e republikanë arrijnë marrëveshjen e rëndësishme për kontrollin e armëve në SHBA


Anëtarët e Senatit amerikan kanë njoftuar një marrëveshje për një marrëveshje dypartiake që mund të shënojë legjislacionin më të rëndësishëm të vendit për kontrollin e armëve në tre dhjetëvjeçarë.

Lajmi vjen pasi ligjvënësit po përballen me presion në rritje për të gjetur mënyra për të pakësuar dhunën me armë mes një serie të shtënash masive.

Legjislacioni do përfshijë fonde për të ndihmuar shtetet të zbatojnë ligjet të cilat i mundësojnë policisë të marrë armët nga njerëzit që mendohet se paraqesin rrezik për të tjerët ose veten e tyre, tha Senatori demokrat Chris Murphy (D-Connecticut), një nga negociatorët kryesorë.

Ai gjithashtu do paraqesë miliarda dollarë financime të reja për shërbimet e shëndetit mendor, duke përfshirë një rrjet mbarëkombëtar klinikash, si dhe nisma për sigurinë e shkollave.

Senatori republikan John Cornyn ishte negociatori kryesor në marrëveshjen nga ana e Republikanëve.

“Sot, ne po shpallim një propozim të arsyeshëm, dypartiak për të mbrojtur fëmijët e Amerikës, për të mbajtur shkollat ​​tona të sigurta dhe për të zvogëluar kërcënimin e dhunës në të gjithë vendin tonë.” – thanë Cornyn, Murphy dhe Senatorë të tjerë të përfshirë në bisedime në një deklaratë të përbashkët.

Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët miratoi legjislacionin për armët javën e kaluar, duke shfrytëzuar vrullin e krijuar nga të shtënat masive në Buffalo, Nju Jork dhe Uvalde. Drejtuesit republikanë u kanë rezistuar prej kohësh kufizimeve të të drejtave të armëve që mund të shkelin mbrojtjen kushtetuese.

“Ky është hapi i parë dhe në fakt është shumë më tepër nga sa mendoja se do të ishte.” – tha aktivisti për kontrollin e armëve, David Hogg, i cili ishte nxënës në shkollën e mesme në Parkland, Florida, ku 17 persona u vranë nga një ish-nxënës në shkurt 2018.

Murphy tha se legjislacioni gjithashtu do heqë mundësinë e blerjes së armës ndaj një personi të dënuar për abuzim e dhunë në familje.

Senatorë të tjerë republikanë që mbështesin projektligjin përfshijnë Lindsey Graham (Karolina e Jugut), Thom Tillis (Karolina e Veriut), Pat Toomey (Pensilvani), Susan Collins (Maine) dhe Bill Cassidy (Luiziana), sipas Murphy. Megjithatë, ai pranoi se hartimi i marrëveshjes në legjislacion dhe miratimi i saj nga të dy dhomat e Kongresit nuk do jetë i lehtë.

Presidenti Biden përshëndeti dispozitat e marrëveshjes së Senatit si ‘hapa të rëndësishëm’ drejt bërjes së Amerikës më të sigurt.

“Natyrisht, ligji nuk bën gjithçka që unë mendoj se është e nevojshme, por pasqyron hapa të rëndësishëm në drejtimin e duhur dhe do të ishte legjislacioni më i rëndësishëm për sigurinë e armëve që do të miratohej nga Kongresi në dhjetëvjeçarë.” – tha ai.