Vendosni fjalën kyçe....

Gledis Nano takohet me shefin e FBI-së, Ambasada Amerikane: Vizita përforcoi bashkëpunimin me Qeverinë e SHBA-ve


Kreu i Policisë së Shtetit Gledis Nano është pritur në një takim nga shefi i FBI-së Christopher Wray gjatë vizitës së tij të fundit në Uashington.

Ambasada amerikane në Tiranë ka publikuar disa foto nga ky takim, ndërsa thekson se vizita e Gledis Nanos përforcoi më tej bashkëpunimin mes Policisë së Shtetit Shqiptar dhe Qeverisë së SHBA-ve.

“Drejtori i Byrosë Federale të Hetimit (FBI) Christopher Wray mirëpriti Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Shqiptar Gledis Nano gjatë vizitës së tij të fundit në Uashington DC.

Vizita përforcoi më tej bashkëpunimin mes Policisë së Shtetit Shqiptar dhe Qeverisë së SHBA. Përveç takimit të tij me drejtorin e FBI-së Wray, z.Nano takoi gjithashtu Zëvendës Ndihmës Prokurorin e Përgjithshëm të Departamentit të Drejtësisë, Bruce Sëartz, Shefin e Operacioneve të Jashtme të Administratës për Zbatimin e Çështjeve Narkotike (DEA), George Papadopoulos, dhe drejtues të lartë nga Byrotë e Departamentit të Shtetit për Sigurinë Diplomatike dhe Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit.

Vizita në Uashington theksoi partneritetin SHBA-Shqipëri dhe rëndësinë e luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri nëpërmjet operacioneve të përbashkëta, trajnimeve dhe bashkëpunimit të ngushtë.”- thuhet në njoftimin e ambasadës.

Ndërsa në një njoftim nga Policia e Shtetit, thuhet se drejtori i FBI-së e përgëzoi Drejtor Nanon, për “kurajon dhe profesionalizmin” në drejtimin e Policisë së Shtetit dhe i konfirmoi mbështetjen e palëkundër të agjencive ligjzbatuese amerikane.