Vendosni fjalën kyçe....

“Jemi të shqetësuar” – Deputetët e PD-së në Komisionin e Ligjeve kërkesë për seancë dëgjimore për Hartën e re Gjyqësore


Një grup deputetësh të PD-së, kanë kërkuar një seancë dëgjimore me Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Ministrin e Drejtësisë, Dhomën Kombëtare të Avokatisë, Avokatin e Popullit dhe Komitetin Shqiptar të Helsinkit.

Kjo lidhur me hartën e re gjyqësore. Bëhet fjalë për grupin e deputetëve që janë pjesë e Komisionit të Ligjeve.

Në shkresën e tyre, deputetët e opozitës shprehen se kanë ndjekur me vëmendje diskutimet që kanë pasuar vendimin e datës 10.06.2022 të Këshillit të Lartë Gjyqësor për miratimin e “Hartës së Re Gjyqësore” si dhe kanë marrë mesazhe të shumta nga qytetarë të ndryshëm që shprehen të shqetësuar lidhur me mbylljen e gjykatave në qytetet e tyre.

Ata shprehen se veçanërisht shqetësuese mbetet situata për banorët që do t’iu duhen të udhëtojnë për kilometra apo orë të tëra për të mbërritur pranë gjykatës kompetente për gjykimin e çështjeve të tyre.

Sipas deputetëve të opozitës, riorganizimi gjyqësor lidhet me një të drejtë themelore që ka të bëjë me aksesin në drejtësi, të garantuar nga neni 42 i Kushtetutës së Shqipërisë dhe neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Për pasojë është detyrë e Kuvendit të analizojë dhe marrë në shqyrtim këtë çështje me interes për qytetarët.

Deputetët që e kanë nënshkruar këtë kërkesë janë: Dhurata Çupi, Enkelejd Alibeaj, Gazment Bardhi, Saimir Korreshi, Bledion Nallbati, Dashnor Sula, Greta Bardeli, Fatmir Mediu.

Pak më herët, në një deklaratë për mediet kreu i PD-së Sali Berisha ka kërkuar anulimin e vendimit për hartën e re gjyqësore pasi sipas tij dhunon direkt interesat e publikut dhe të grupeve të interesit që lidhen me sistemin e drejtësisë.