Vendosni fjalën kyçe....

Lejet minerare, Ministria e Energjisë synon të kalojë tek privati përmes garës 86 zona


Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) parashikon që në tre vitet e ardhshme të kalojë tek privatët 86 zona minerare, përmes hapjes së garave përkatëse.

Plani, sipas një liste tashmë publike, përfshin zona në të gjithë vendin për shfrytëzim kundrejt investimeve përkatëse që do t’iu kërkohen më pas bizneseve gjatë periudhës së garës. Të ndryshme janë edhe mineralet që mund të nxirren në këto zona.

Dhënia e të drejtave minerare për këto zona do të realizohet, sipas legjislacionit për dhënien e të drejtave minerare për zonat konkurruese dhe për zonat e hapura.

Veprimtaria studimore gjeologjike gjatë kësaj periudhe përfshin: a) rivlerësimin e resurseve minerare, nëpërmjet përgjithësimit të të dhënave komplekse gjeologjike, vlerësimin e planifikimit territorial, mirrimin e territorit dhe vlerësimin e rrezikut gjeologjik; b) monitorimin e vazhdueshëm të ujërave nëntokësore.

Produkti vjetor minerar parashikohet me një rritje deri në 5% në vit, sipas dokumentit të bërë publik nga ana e MIE.

Referuar planit 3 vjeçar të MIE thuhet se zonat minerare, në të cilat është revokuar leja minerare apo mund të revokohet leja minerare për shkaqe ligjore, mund të shpallen si zona të reja konkurruese, pavarësisht se nuk janë përfshirë në programin e veprimit për zbatimin e strategjisë minerare, për periudhën 3-vjeçare 2022–2024.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë vetëm gjatë pesë muajve të vitit 2022 ka nisur procedurat për revokimin e të paktën 23 lejeve minerare. Pjesa më e madhe e revokimeve, sipas shifrave zyrtare, është bërë gjatë muajit shkurt.

Shkaqet për revokimet janë nga më të ndryshmet, por ai që dominon është fakti që subjektet nuk kanë respektuar kërkesat e legjislacionit minerar, lidhur me pagesën e garancisë financiare të rehabilitimit për vitin paraardhës.

Një tjetër shkak që konstatohet tek shkresat që u janë nisur subjekteve për nisjen e procedurës së revokimit të lejes minerare ka të bëjë me faktin që në shumë raste nuk janë respektuar kërkesat e legjislacionit minerar lidhur me ndërprerjen e aktivitetit. Rezulton se në objekt nuk është punuar prej më shumë se një viti kalendarik, duke anashkaluar shfrytëzimin e lejes.

Revokimi i lejes është bërë edhe në rastet kur është konstatuar që ka pasur aksident në objektin minerar dhe kur nga analiza që i është bërë situatës është dalë në përfundimin se ka ndodhur si pasojë e mungesës së disiplinës teknike të shkeljes së rregullave të sigurimit teknik. / N.Maho

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor