Vendosni fjalën kyçe....

Mijëra lokale në Britani drejt falimentit, shoqatat japin alarmin


Sektori i mikpritjes në Britani po përballet me ‘një krizë aq të madhe, nëse jo më të madhe’ sesa gjatë pandemisë Covid, ka thënë për Daily Mail shefja ekzekutive e organit tregtar UKHospitality, Kate Nicholls.

Ajo paralajmëroi se 10,000 bare dhe restorante së shpejti mund të jenë jashtë biznesit falë një ‘stuhie të përsosur’ inflacioni, me kosto të larta të energjisë dhe qirasë.

“Ne tashmë po shohim shumë operatorë të pavarur që dorëzojnë çelësat dhe largohen.” – tha ajo të dielën.

Nicholls vlerëson se 20,000 biznese të anëtarëve të UKHospitality janë ende duke operuar me humbje dhe 30,000 nuk kanë rezerva parash.

“Nuk kam parë kurrë një koktej kaq toksik kostosh. Është një stuhi e jashtëzakonshme.” – tha ajo.

Të dhënat më të fundit tregojnë se inflacioni në tregtinë e restoranteve britanike po shkon nga 13% në 17% si rezultat i ndërprerjes së zinxhirit të furnizimit për shkak të pandemisë dhe konfliktit në Ukrainë, si dhe pagave më të larta për shkak të mungesës së stafit.

“Inflacioni i kostos do të thotë që ne duhet të tregtojmë 20% më lart vetëm për të qëndruar në vend. Ne e dimë se shumë biznese po dorëzojnë çelësat e po mbyllen.” – tha Emma McClarkin, shefe ekzekutive e Shoqatës Britanike të Birrës dhe Pubeve.