Po zhvillohet konferenca e parë kombëtare e Antikorrupsionit, ku të pranishëm janë edhe kryeministri Edi Rama, si dhe ambasadorja amerikane, Yuri Kim.
Në pjesën e parë të kësaj konference, fjalën e para e mori Ministja e Shtetit për Standardet e Shërbimeve Milva Ekonomi foli për shërbimet online dhe zhvillimin teknologjik.
Gjatë fjalimit të saj, Ekonomi tha se Shqipëria lë mbrapa disa vende të Bashkimit Europian për nga larmia dhe efikasiteti i shërbimeve të ofruara.
“Një editorial i publikuar kohë më parë i revistës The Economists theksonte fort se Revolucioni Dixhital është shansi i artë i Ballkanit Perëndimor për të mbyllur hendekun zhvillimor me Bashkimin Evropian.
E nëse kjo është e vërtetë, falë përqafimit të këtij revolucioni që në krye të herës, Shqipëria sot është në pararojë të këtij zhvillimi dhe është një vend i avancuar i rajonit. Sipas Barometrit Ballkanik, në anketën e opinionit publik të zhvilluar në vitin 2021, Shqipëria shënon nivelet më të larta lidhur me kënaqësinë me përdorimin e shërbimeve elektronike.
Gati tre herë më të larta se sa mesatarja e rajonit, dhe shumë herë më të larta se sa vende të veçanta të rajonit.
Duke përjashtuar personat që nuk dhanë përgjigje, 70% e qytetarëve shqiptarë janë të kënaqur me shërbimet e ofruara dhe 20% e dinë se këto shërbime ekzistojnë edhe pse nuk i kanë përdorur ndonjëherë.
Jemi gjithashtu të vetmit në rajon për nga larmia dhe efikasiteti i shërbimeve të ofruara. Dhe lëmë pas shumë vende të Bashkimit Europian dhe duhet të jemi krenarë për këtë.”- tha Ekonomi.